Vjen mrekullia e 8-të për Juventusin, Ronaldo-Bantacur thyejnë Udinezen (VIDEO)
Juventus vazhdo të mos njoh rivalë në kampionat. Bardhezinjtë kanë fituar me lehtësi 2-0 në transfertën ndaj Udinezes, në një ndeshje të dominuar. Kampionët e Italisë marrin fitoren e 10 radhazi, duke përfshirë ndeshjet e kampionatit dhe Champions League, duke qenë ekipi më i mirë në Europë për momentin. Trajneri Allegri hodhi në fushë treshen sulmuese Ronaldo, Dybala dhe Mandzukic, ndërkohë që në mesfushë surpriza nga minuta e parë ishte Bentacur, i cili zuri vendin e Emre Can. Bardhezinjtë dominojnë në zotërimin e topit, por e kanë të vështirë për të gjetur hapësira në mbrojtjen vendase, e cila është shumë e ngjeshur.
Në minutën e 33-të, pas një aksioni të shpejtë të nisur nga Dybala në mesfushë, Cancelo depërton mjaft mirë në krahun e djathtë dhe më pas jep një pasim fantastik për Bentacur, i cili e ka të thjeshtë për ta shtyrë topin në rrjetë. Ky ishte goli i parë për të me fanellën e Juventusit. 3 minuta më pas Mandzukic humbi një rast të pabesueshëm përballë portierit Scuffet, i cili bëri një pritje të mrekullueshme. Në aksionin vijues do të ishte radha e Cristiano Ronaldos, i cili lëshoi një bombë me të majtën, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit të Udinezes. Ky ishte goli i katërt për sulmuesin portugez në këtë sezon me fanellën e Juventusit në kampionat. Fraksioni i parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të kampionëve të Italisë, edhe pse Udineze goditi shtyllën me Barak.
Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim për bardhezinjtë, teksa Emre Can zuri vendin e Matuidi, ndërkohë që vendasit e nisën më mirë, duke krijuar një shans të pastër shënimi. Lasagna u harrua në zonën e torinezëve, por goditja e tij u ndal në momentin që po shkonte drejt rrjetës nga Alex Sandro. Juventus më pas merr frenat e lojës duke zhvilluar të gjithë ndeshjen në gjysmëfushën kundërshtare. Dybala humbi një rast të artë në minutën e 55-të.
Disa minuta më pas Mandzukic kombinon mjaft mirë me Ronaldon brenda zonës, por goditja e yllit portugez ndalet mjaft mirë me këmbë nga portieri Scuffet që bën një mrekulli. Në minutën e 70-të, pas një kombinimi brenda zonës, Bernandeschi godet fortë me të majtën, por sërish portieri i Udinezes bën mrekullinë me një zgjatje në cepin e portës. Në minutën e 85-të, Cancelo goditi në hyrje të zonës, por Scuffet dhe traversa i mohuan golin e tretë skuadrës së Allegrit. Juventus mbetet në krye të renditjes me pikë të plota 24, pas 8 javësh. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

