Shakaja e Mavrajt, si e bënë grek me pasaportën e shokut të kombëtares
Është epoka e internetit, është koha e rrjeteve sociale, aty ku mjafton edhe një mesazh për të bërë lajm, për mirë apo për keq. Futbollistët janë ndër personazhet më të ndjekur në rrjetet sociale dhe zakonisht janë shumë aktivë, duke postuar online gjithçka u vjen ndërmend, nga golat e deri te pakënaqësitë.
Ka edhe nga ata që në rrjetet sociale janë shumë pak aktive, ndërsa disa të tjerë janë shumë interesantë për postimet e veçanta e shpesh plot humor. Një ndër lojtarët e kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, është lider në këtë drejtim, sepse në Instagram e Facebook është aktiv dhe poston shpesh edhe foto zbavitëse, si ato e fundit, para ndeshjes ndaj Jordanisë.
Fillimisht qendërmbrojtësi bënte humor me faktin se prisnim Jordaninë (“djema, rregulloni mjekrat”), ndërsa më pas postoi edhe një foto pasaporte greke, duke thënë “Faleminderit”. Natyrisht, fakti që luan te Aris prej pak javësh dhe pasaporta greke në dorë kanë krijuar idenë se diçka po ndodh dhe menjëherë është përhapur lajmi se Mavraj po bëhet grek.
Së pari, nuk dihet si u arrit në këtë përfundim thjesht me një foto pasaporte dhe se dyti, nuk dihet si mund të bëhet grek dikush që nuk ka lidhje me Greqinë, përveçse ka veç pak ditë në vendin helen. Vite më parë një lajm i tillë do ishte tradhti kombëtare, por tani nuk e vret kush mendjen, aq më shumë që në media qarkullojnë lloj-lloj broçkullash.
Telesport ka kontaktuar me Mavrajn, i cili mohon prerë dhe qesh kur i përmendet kjo histori. E vërteta? Mavraj kishte në dorë pasaportën e Enea Mihajt, mbrojtësit kuqezi që gjithashtu luan në Greqi.
Kaq mjaftoi, një foto e postuar për pak minuta, që Mavraj të kthehej në Mavras dhe për pak e zgjodhëm deputet të parlamentit grek. Për çfarë do i duhej pasaporta greke Mavrajt? Mister, sepse realisht Mavraj ka pasaportë diplomatike që pas Euro 2016 dhe është një shqiptar VIP, i cili mund të shkojë kudo pa asnjë problem e pa vizë. /telesport.al/
KOHA JONË SONDAZH

