Shmangu taksat kur u transferua te Reali, Modric është në telashe
Telashet me organet tatimore spanjolle nuk kanë të përfunduar për Luka Modric. Sipas të përditshmes spanjolle “El Mundo”, mesfushori kroat që është ende në proces gjyqësor me Agjencinë e Të Ardhurave për evazionin fiskal të periudhës 2013-2014, do të ketë një tjetër përballje me të. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Agjencia e të Ardhurave ka kërkuar që Modric të paguajë 1.2 milionë euro të tjera në rrugë administrative.
Kjo shifër i përket vitit 2012, kur Modric u transferua te Reali i Madridit dhe, për këtë institucion, mesfushori në atë kohë ishte rezident në Spanjë, kështu që duhet të derdhte tatimet në arkat e shtetit spanjoll. Modric, që firmosi kontratën e re me Realin e Madridit në fund të muajit gusht të këtij viti, e ka derdhur shifrën e kërkuar nga Agjencia e Të Ardhurave, edhe pse e apeloi vendimin e këtij organizmi.
Për sa i përket konfliktit tjetër të Modric me Agjencinë e Të Ardhurave, kroati akuzohet për shmangien e shumës prej 870.728 euro për vitet 2013 dhe 2014. Modric duket se i ka kaluar të drejtat e imazhit të tij në një shoqëri me seli në Luksemburg, të kontrolluar nga ai vetë.
Mesfushori i Realit të Madridit, për të evituar dënimin me burg, pagoi rreth 1 milion euro për këtë rast, e sipas “El Mundo”, ai është në bisedime me Prokurorinë për arritjen e një pakti konfidencial, duke ndjekur hapat e Cristiano Ronaldos, Marcelos e Jose Mourinhos.
KOHA JONË SONDAZH

