Si zgjidhet presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit?
Nesër do të zgjidhet presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai do të drejtojë politikat dhe strategjinë e futbollit në vend për 4 vitet e ardhshëm. Por si zgjidhet kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit? Ai del nga votimi në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore e cila ka në përbërje të saj 66 anëtarë me të drejtë vote. Pjesa më e madhe e asamblesë janë klube futbolli të kategorive nga Superiorja deri në ato më të ulëtat. Pjesë e Asamblesë me të drejtë votë janë edhe përfaqësues nga shoqatat sportive si ajo e arbitrave, shoqata e mjekëve sportive, shoqata e trajnerëve si dhe shoqatat rajonale.
Kandidati propozohet nga një anëtar i federatës sipas Nenit 31, pika 3 të statutit të FSHF-së. Për tu zgjedhur president duhen 2/3 e votave të vlefshme. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota (50% +1) zgjidhet president. Në Asamblenë zgjedhore përcaktohet edhe përbërja e Komitetit Ekzekutiv, që është organi më i lartë kolegjial, që drejton dhe merr vendime gjatë periudhave mes dy Asambleve. Ai është i zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme dhe përbëhet nga 11 anëtarë: Presidenti, dy Zv/Presidentë dhe 8 anëtarë.
KOHA JONË SONDAZH

