Spalletti jashtë planeve të Interit, ja 3 trajnerët që ka piketuar Marotta
Pas eliminimit nga Champions League, Interi është duke menduar për ndryshime të mëdha gjatë verës. Të mërkurën, pas barazimit me PSV-në, presidenti i Interit Steven Zhang mblodhi të gjithë anëtarët e bordit drejtues të klubit, për t’u shprehur zhgënjimin e tij për eliminimin e Interit nga Championsi, si dhe dëshirën për të parë këtë skuadër që të konsiderojë Europa League si objektivin real e më të rëndësishëm.
Është pikërisht ecuria në arenën europiane, ajo që do të vendosë shumë për të ardhmen e Spallettit, sigurisht pa harruar edhe kampionatin, ku Interi duhet të jetë mes 4 më të mirave të Serie A.
Në fakt, klubi po mendon që tani për atë çfarë do të ndodhë në muajin qershor, nëse nuk arrihen objektivat. Për momentin, emrat që po qarkullojnë si zëvendësuesit më të mundshëm janë ata të Diego Simeones nga Atletico Madrid dhe të Antonio Contes.
Por, së fundmi në listën e kandidaturave është shfaqur edhe një emër tjetër që nuk harrohet në ambientet zikaltër dhe që ka bërë tifozët e Interit të ëndërrojnë. Bëhet fjalë për Jose Mourinhon, i cili duke parë problemet te Manchester United, në qershor mund të lërë “djajtë e kuq” për t’u rikthyer tek Interi.
KOHA JONË SONDAZH

