Statistikat e derbit mes Tiranës dhe Partizanit, ja fitoret më të thella
Ndeshja Tirana-Partizani nuk është një sfidë e zakonshme në futbollin shqiptar, por një ndër duelet më të ndezura në histori. Por le t’i hedhim një sy statistikave që kanë prodhuar ndeshjet mes tyre.
Partizani ka numrin më të madh të fitoreve në derbi, me plot 60 takime në total, kundrejt 47 të Tiranës, ndërsa 41 sfida të tjera kanë përfunduar pa fitues. Fitoren më të thellë, të kuqtë e kanë regjistruar në vitin 1947, kur mposhtën Tiranën me rezultatin 8-0, një rezultat me të cilin mbështetësit e Partizanit krenohen edhe sot e kësaj dite. Atë vit Partizani fitoi edhe titullin kampion, gjë që e përsëriti edhe në dy vitet pasardhëse, 1948 dhe 1949.
Ndërkohë Tirana, në sezonin 1985-1986 arriti të fitonte 7-3 ndaj Partizanit,. Bardheblutë vinin si kampionë në fuqi në atë takim dhe nuk kishin presionin e rezultatit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1, ndërsa në pjesën e dytë shpërtheu Tirana, duke shënuar me lojtarë si Shkëlqim Muça, Arben Minga dhe Agustin Kola, që ishin në një formë të jashtëzakonshme.
Lojtari që ka shënuar më shumë gola në derbin e kryeqytetit është pikërisht Refik Resmja me 14 realizime, i ndjekur nga Indrit Fortuzi dhe Agim Murati, konkretisht i Tiranës dhe Partizanit, me nga 11 gola.
KOHA JONË SONDAZH

