Sulmuesi i Shpresave: Shqipëria gjithmonë zgjedhje e parë për mua (VIDEO)
Skuadra kombëtare U-21 vijon përgatitjet e saj në vigjilje të ndeshjes zyrtare eliminatore me ekipin spanjoll, si dhe të transfertës në Parnu me Estoninë. Trajneri Alban Bushi ka vijuar përgatitjet e tij, teksa dita e sotme përkon me dy seanca stërvitore. Në konferencën e sotme për shtyp ka dalë Albion Ademi, i cili luan në Finlandë, me FC Inter Turku.
“Edhe pse tashmë jemi jashtë objektivit, përsëri kemi vlerësuar maksimalisht këto dy ndeshje, të cilat do të mbyllin edhe serinë e ndeshjeve për grupin tonë. Fillimisht të shohim Spanjën, më pas do të kemi kohë të mendojmë për Estoninë. Spanjollët dihen për potencialet dhe forcën që kanë, por ne do të bëjmë maksimalen tonë, dhe përtej saj, në mënyrë që të bëjmë një paraqitje më shumë se sa dinjitoze.
Gjatë gjithë ndeshjeve, me më pak vëmendje mund të kishim më shumë pikë, sidoqoftë le të përqendrohemi te këto dy sfida të fundit dhe të marrim më të mirën e mundshme. Shqipëria ka qenë gjithmonë zgjedhja ime. Kombëtarja A mbetet një dëshirë, por momentalisht dua të jap maksimumin me U-21. Po të luaj mirë këtë, i kam dyert e hapura edhe në kombëtaren e madhe, ku ka mjaft sulmues të mirë për momentin”,- theksoi sulmuesi Ademi.
KOHA JONË SONDAZH

