Super oferta për Strakoshën e Tottenham-it, presidenti i Lazios kthen përgjigje
Thomas Strakosha është një nga portierët më të mirë në qarkullim në Seria A dhe ky tashmë nuk është më lajm i ri. Sezonin e kaluar, Lazio dështoi që të shkonte në Champions League, vetëm pas humbjes në javën e fundit ndaj Interit, ku portieri shqiptar nuk kishte faj. Këtë sezon, ai e ka mbajtur portën e paprekur në 9 raste.
Numrat e tij flasin qartë, 72 për qind e goditjeve të pritura, çdo 26 minuta bën një pritje. Në ditët e fundit janë shtuar “sirenat” angleze, teksa Tottenham është gati për të investuar 33 milionë euro për të rrëmbyer gardianin shqiptar.
Sajti pranë klubit bardhekaltër, “cittaceleste”, shkruan se presidenti Lotito ka kthyer menjëherë një përgjigje negative duke konfirmuar shqiptarin që ka kontratë deri në vitin 2020. Numri një i Lazios pretendon për të paktën 40 milionë euro për ta lënë të lirë.
Edhe nëse nuk do të arrihet synimi për një vend në Champions, Strakosha do të vijojë që të mbrojë portën e Lazios, pasi është i paprekshëm në këtë skuadër. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

