
Argjentina është zgjuar në një epokë të re të historisë së saj futbollistike, mes emocioneve dhe nostalgjisë. Lionel Messi ka veshur për herë të fundit fanellën e Selección-s, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm me kombëtaren argjentinase.
Në stadiumin Monumental, para mijëra tifozëve, Argjentina triumfoi 3-0 ndaj Beninit në një ndeshje miqësore që, pavarësisht rezultatit, mbeti në plan të dytë përballë momentit historik.
E gjithë vëmendja ishte te Lionel Messi, kapiteni dhe simboli i një prej epokave më të lavdishme të futbollit argjentinas. Në tribunat e Monumentalit, tifozët i rezervuan një pritje madhështore, në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe kujtime.
Lamtumira e Messit zuri vendin kryesor edhe në faqet e para të mediave argjentinase. Gazeta sportive Olé e përshkroi momentin me titullin “Eterno Leo”, duke vënë në pah fundin e ciklit të yllit nga Rosario me kombëtaren dhe lidhjen e veçantë që ai ka krijuar me tifozët argjentinas.
Edhe Clarín i kushtoi një hapësirë të madhe lamtumirës së kapitenit, duke e cilësuar mbrëmjen si “tangun e fundit të kapitenit”. Në të njëjtën kohë, gazeta përcolli edhe ndjenjën e tifozëve përmes mesazhit: “Nuk po largohet, Leo nuk po largohet.”
Ndërkohë, La Nación theksoi emocionin e jashtëzakonshëm që përfshiu vendin gjatë mbrëmjes në Monumental, duke e përshkruar si një natë që preku dhe emocionoi një Argjentinë të tërë.
