Të rrosh a të mos rrosh ?!…
Fejton nga Thoma Goga /
E di mirë se e ka thënë i madhi Shekspir, po fjala ka marrë dhenë. Disave që u ka vajtur thika në kockë, shpesh thonë “të rrosh a të mos rrosh?!”. Dhe meseleja që do rrëfejë është ca reale e ca irreale.
Në maternitetin e qytetit tonë lindi një fëmijë natën e vitit të ri. Ishte një fëmijë “i jashtëzakonshëm”. Pse ishte “i jashtëzakonshëm” do t’ua zbulojmë hap pas hapi. E fillojmë nga “origjina” ose siç i thoshin në atë kohën tonë, nga “biografia”. Po të bëjmë ca llogari, ai që lind natën e vitit të ri duhet të jetë produkt i dashurisë së dy prindërve natën e 1 prillit… Edhe kjo “festa” e gënjeshtarëve të bën të mendosh shumë. Nejse, “festa” është tjetër punë. Zoti i madh, që i qofshim falë, këtij fëmije i kishte dhënë ca cilësi të veçanta. Sa hapi sytë, njohu nënën. E përqafoj dhe filloi të flasë.
– Alarm, alarm!- ulëriu. Infermieret dhe mamitë u pataksën. Thirrën doktorin, i cili sa u paraqit, dëgjoi urdhrin e parë:
– Mba shënim, – tha vogëlushi ëngjëll. – Dua të më sjellësh këtu kryeministrin.
– Më vjen keq, – tha doktori. – Nuk e urdhëroj dot. Është duke punuar. Pastaj ka dalë vendimi se për çdo lindje do ketë shpërblim të mirë. Po më thuaj çfarë halli ke?
– A i jep dot përgjigje pyetjes time: “Të rroj a të mos rroj?”.
– Pa diskutim që do të rrosh mirë. Jetojmë në një vend demokratik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE.
– Ore doktor, mos më shit mua pordhë. Thuaja ndonjë tjetri këto. Sa lekë na duhet që të jetojmë me prindërit e mi si ata të NATO-s apo të BE?
– Nuk merrem me këto llogari. I di qeveria më mirë,- tha doktori.
– Tani që dola në jetë, a është jeta ime e sigurt? Më thirr këtu drejtorin e policisë së qytetit.
– Janë të zënë. Disa janë në protesta. Ca korrin hashash.
– Po unë me hashash do jetoj? Prindërit e mi rropaten për të mbjellë grurë, misër, perime dhe nuk po e përballojnë jetën. Kurse ata me vila e makina luksoze. Çdo ditë ulërima. Ç’janë këto krime, aksidente, trafiqe?! – ia ktheu vogëlushi ëngjëll. Pastaj iu drejtua mamasë së tij.
– Cili është deputeti për të cilin ke votuar?
– Nuk e njoh, o shpirt. Ti je perëndia ime…
– Mos është ai që u dënua për trafik kurvash?
– T’u bëftë mamaja, qetësohu e pi pak qumësht. Ta kam bërë hallall.
– Nënë e dashur dhe ti doktor, ma thoni qartë: të rroj a të mos rroj?!
– Pa diskutim, – tha doktori. – Standardet janë rritur. Ritmet e rritjes ekonomike këtë shkuan 4 për qind. Këtë vit do na ngrihet më shumë… Punësimet kaluan mbi 90 për qind. Me një klikim kryen të gjitha shërbimet publike.
– E di, e di që jetojmë në kohën e internetit, në kohë dixhitalizimi, – tha vogëlushi. – Po këto që thua zotrote nuk i ha as qënushi im. Sa vjet u bënë, o mama, që nuk e ke marrë tapinë e tokës dhe të shtëpisë?
– Do t’i marrim bir dhe ti do i gëzosh të gjitha.
– Atëherë hapni televizorin të shoh pak lajmet. Dëshira e vogëlushit u plotësua. Një studio me analistë, deputetë dhe një sallë plot me milet. Debati kishte marrë zjarr për një farë Babale.
– Ndërroje këtë kanal, – tha vogëlushi. Dhe doktori lëvizi telekomandën.
– Edhe këtu Babale?! Po kush është ky “Baba – hale?”…
– Është një “virus” i ri, – u përgjigj doktori dhe ndërroi gjithë ato kanale.
– Lirohen nga burgu disa të arrestuar, – tha spikerja në tjetër stacion. – Akuzohen për dy vrasje në një lokal. Mungonin dëshmitarët se vetëm vrasësit dhe viktimat ishin në atë lokal…
– Atëherë përfundimisht dua ta di: të rroj a të mos rroj?!
– Motrën ku ta kesh se na merove! – u nxeh doktori.- Ta thom unë; do rrosh, po të mos e rruash…
Në mbarim të kësaj meseleje edhe unë do imitoj Vangjelin e Tanës tek një film:
– Të rroç a të vdeç. Kjo është puna. Po unë i dhashë karar; do pi, do dehem.
Dhe vërtet; është më mirë të dehemi që të harrojmë se rrojmë…Ose të bëjmë atë që tha doktori; të rrojmë, po të mos e rruajmë…
KOHA JONË SONDAZH

