Tensionohet situata në Superiore, Kamza dhe Vllaznia akuza të ndërsjella
Tensionohet situata para ndeshjes delikate mes Kamzës dhe Laçit, që mund të jetë përcaktuese për ecurinë e skuadrave në Superiore. Klubi i Kamzës, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka akuzuar se ka pasur tentativa nga ana e shkodranëve për të korruptuar lojtarët e tyre që të linin ndeshjen e sotme. Kundërpërgjigja e shkodranëve ka qenë e menjëhershme.
POSTIMI I KAMZËS
Skandal
Arbitri Hamiti që disa javë më parë na masakroi në Korçë vjen serish të na arbitrojë ndaj Laçit…
Hamiti nga Lezha, komshi i shkodranëve, duhet të kalojë nga Laçi që të mbërrijë në Tiranë që të na arbitrojë ne.
Janë thurur skenarë të zeza ndaj Kamzës. Por Kamza luan në fushë dhe s’merret me matrapazët drejtues nga Shkodra që kujtojnë se blihemi me para. Respekt për sportdashësit e vërtetë shkodranë, por jo për sekserët që e shkatërruan ekipin e tyre e tani duan të bëjnë të njëjtën gjë me ekipin tonë.
Me në krye Grimën, hajdutin me çizme që ndër vite ka bërë pazare me portën e tij, kanë ofruar lekë për të blerë lojtarët tanë. Por nëse Grima shitet me para dhe ka një çmim, Kamza nuk ka çmim dhe është e pashitshme.
Ftojmë tifozët të na përkrahin.
FORCA KAMZA
Reagimi i Vllaznisë
KF Vllaznia është i detyruar të reagojë pas akuzave të shpërndara nga FK Kamza, të cilat cënojnë rëndë imazhin e Klubit dhe të futbollit shkodran. Asnjëherë nuk kemi dashur të merremi me të tilla deklarata dhe gjithmonë i kemi injoruar. Por reagimet nga FK Kamza prej 6- muajsh, nuk kanë qenë aspak të hijshme me deklarata të qëllimshme të drejtuesve të saj duke anatemuar gjithnjë Vllazninë.
Kjo nuk është aspak e drejtë sepse Klubi ynë nuk është marrë asnjëherë me kundërshtarët. Deklarata e fundit e bërë mbrëmjen e djeshme, është shumë e rëndë.
Të gjithë e dinë që KF Vllaznia është një klub që funksionon me buxhet të miratuar nga Bashkia Shkodër dhe tentativa të tilla, siç thotë klubi i Kamzës, as nuk mund të mendohen.
Përpos të gjithë këtyre gjërave, ajo që na habit është se FK Kamza që një natë para ndeshjes së saj, e di kush është arbitri! Si ka mundësi një gjë e tillë kur askush nuk e di emrin e arbitrit përveç kamzalinjëve? Si ka mundësi që Hamiti konsiderohet “komshi i shkodranëve” nga drejtuesit e Kamzës ndërkohë që ai është shpallur “non grata” prej javësh nga Vllaznia!
KF Vllaznia i bën thirrje publike drejtuesve të Kamzës të ndalin gjuhën e shpifjeve dhe trillimeve të nisura prej javësh dhe të shohin punën e tyre sepse kjo nuk është në të mirën e futbollit shqiptar, nuk është në të mirën e dy qyteteve.
KF Vllaznia
KOHA JONË SONDAZH

