Thirrja e Kukësit: S’ka mbaruar asgjë me gjeorgjianët, të gjithë bashkë ja dalim!
Kukësi e humbi 5-2 ndeshjen e parë me Torpedo Kutaisi të Gjeorgjisë në Europa League, por verilindorët kanë ende shpresa për kualifikim. Me një postim të fundit, klubi u kërkon ndihmë tifozëve për ndeshjen e kthimit javën e ardhshme, ku do të bëhen të gjitha përpjekjet për t’u hakmarrë ndaj gjeorgjianëve.
“Të gjithë bashkë, ia dalim! FK Kukësi fton të gjithë tifozët kuksianë, por edhe tifozë të tjerë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit për të mbështetur skuadrën në ndeshjen e kthimit kundër ekipit gjeorgjian Torpedo Kutaisi, sfidë që do të luhet më 16 gusht në “Elbasan Arena”, në orën 19:00. Kukësi regjistroi rezultat negativ në ndeshjen e parë, ndikuar nga shumë faktorë. Gjeorgjianët përdorën lloj-lloj strategjish dhe ia dolën, por nuk ka mbaruar.
Duke pasur mbështetjen maksimale të tifozerisë, djemtë do të jenë akoma më të motivuar për të bërë përmbysjen e madhe. FK Kukësi beson se prania e tifozërisë është vendimtare në ndeshjen e kthimit. Të gjithë bashkë do ia dalim, mos mungoni!”, ka shkruar klubi verilindor.
KOHA JONË SONDAZH

