Thomas Strakosha, një hero i heshtur i mrekullive me kuqezinjtë
Një lider nuk mund të jetë gjithmonë një futbollist agresivë në fushën e lojës, por ka edhe të tillë që janë të heshtur dhe flasin më shumë me veprat e tyre në fushë. I tillë ishte mbrëmjen e djeshme edhe Thomas Strakosha, i cili ka bërë që të harrohet shpejt babai i tij, Foto.
Për të kuptuar pjekurinë, jo vetëm sportive të tij mjafton të dëgjosh fjalët e thëna pas ndeshjes, fjalë që duket sikur kanë dalë nga një futbollist me përvojë të gjatë dhe jo nga një 23-vjeçar. “Gabimet individuale janë pjesë e futbollit, rëndësi ka që luajmë si grup. Unë bëra vetëm detyrën, pasi për të pritur topa qëndroj në portë”, deklaroi portieri kuqezi pas takimit.
Strakosha ishte njeriu i mrekullive, pasi dy nga ndërhyrjet e tij nuk përfshihen mes pritjeve të zakonshme. E para ndaj Kayal ishte një miks mes instiktit, reagimit të shpejtë dhe vetëbesimit, ndërsa e dyta ishte e gjitha forcë karakteri për të besuar deri në fund, madje deri aty ku askush nuk besonte.
Ai është shprehur se ka bërë vetëm detyrën, por kampionët e tillë veprojnë gjithmonë në heshtje. Fundja Strakosha ka treguar edhe më parë me Lazion, se është një njeri i mrekullive.

KOHA JONË SONDAZH

