Tottenham turpëron United në “Teatrin e Ëndrrave”, Mourinho drejt shkarkimit (VIDEO)
Manchester United vijon të turpërohet në Premier League. Djajtë e Kuq janë shkatërruar 0-3 në shtëpi nga Tottenhami në super sfidën e javës së 3-të. Skuadra e Jose Mourinhos dominoi në 45 minutat e para duke ju afruar në disa raste golit me Lukuakun, i cili humbi një mundësi të artë me portën e boshatisur, pas një gafe të Rose. Vendasit kishin edhe mundësi të tjera me belgun dhe Lingard, por portieri Lloris ishte në një mbrëmje të shkëlqyer.
Pjesa e dytë ishte një “makth” i vërtet për Manchester United. Rastet e humbura u kthyer në “boomerang”, teksa Tottenham do të arrinte që të shënonte golin e avantazhit në minutën e 50-të, me Harry Kane që goditi bukur me kokë, duke lënë të shtangur portierin De Gea. Pa kaluar as dy minuta, “gjelat” e Londrës do të shënonin edhe golin e dytë me Lucas, i cili përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes vendase.
Mourinho u përpoq të reagonte me disa zëvendësime, por braziliani Lucas nuk e kishte thënë fjalën e fundit, pasi 6 minuta nga fundi vulosi fitoren e Tottenhamit. Ekipi i Pochetinos ngjitet në vendin e dytë të renditjes me 9 pikë, po aq sa Liverpooli, por ekipi i Klopp ka një golaverazh më të mirë. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

