Tronditet Kukësi, dy yjet e skuadrës mbyllin para kohe sezonin
Kukësi merr dy goditje të rënda, pasi dy futbollistë të kombëtares Valdet Rama dhe Edis Maliqi, nuk do të jenë të gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit. Ish-futbollisti i Kombëtares ka pësuar një dëmtim të rëndë në menisk dhe me shumë mundësi do t’i duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për të rikuperuar dëmtimin në gju. Në këtë mënyrë Valdet Rama mund të rikthehet në fushë vetëm për aventurën e Kukësit në ndeshjet e Europa League, duke humbur sfidat e mbetura në kampionat dhe në Kupë.
Nëse për Ramën ekziston ndonjë fije shprese, për Edis Maliqin mbyllja e sezonit është diçka e sigurt. Mesfushori ka pësuar një krisje në kërcirin e këmbës, dhe do të qëndrojë jashtë fushe më shumë se një muaj pasi bëhet fjalë për një dëmtim që do kohë për t’u rikuperuar. Maliqi u dëmtua në ndeshjen me Kastriotin dhe sakrifikoi duke luajtur me dhimbje ndaj Laçit, por dëmtimi është përkeqësuar dhe tani i duhet të bëjë pushim për të mos rrezikuar.
Dy mungesa të rënda për Gjokën dhe Kukësin, pasi verilindorët ende nuk kanë në dispozicion kapitenin Ylli Shameti.
KOHA JONË SONDAZH

