
Sipas burimeve të afërta me çështjen, UEFA po ecën drejt një votimi për të pezulluar federatën izraelite të futbollit, për shkak të luftës në Gaza. Lajmi është bërë i ditur nga Associated Press, që citon dy burime të ndryshme, të cilat pranuan të flisnin në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
Sipas tyre, shumica e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s (20 në total) pritet të mbështesin votën për përjashtimin e ekipeve izraelite nga kompeticionet ndërkombëtare. Ky zhvillim vjen vetëm dy javë para se kombëtarja e Izraelit të rikthehet në fushë për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, me ndeshje në transfertë kundër Norvegjisë dhe Italisë.
Mbetet e paqartë nëse FIFA do të mbështesë një përjashtim të mundshëm të Izraelit. Kjo edhe për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes presidentit të saj, Gianni Infantino, dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump. Administrata e Trump ka luajtur një rol të rëndësishëm për të siguruar organizimin e Kupës së Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, një turne që FIFA e konsideron jetik për suksesin e saj.
