Van de Beek, super talenti i Ajax që di të parashikojë të ardhmen
Donny van de Beek është një nga zbulimet më të bukura të këtij sezoni, të paktën për ata që nuk kanë ndjekur me interes ndeshjet e kampionatit holandez.
Trekuartisti i talentuar i Ajax-it, i lindur në vitin 1997, ka fituar vëmendjen e Europës në muajin e fundit, pasi ka qenë vendimtar në dy ndeshjet më të rëndësishme. Ai shënoi ndaj Juventusit në Torino, golin e barazimit momental, ndërkohë që mbrëmjen e së martës gjeti sërish rrugën e rrjetës ndaj Tottenham-it.
Van de Beek është një nga talentet më të dobishëm te Ajaxi, i aftë për të luajtur në një pozicion të padallueshëm për kundërshtarët. E thënë më “shkoqur”, nëse De Ligt dhe de Jong janë dy talentet që kanë më shumë famë në media, van de Beek është më vendimtari dhe më i rëndësishmi te ekipi holandez.
Përveç aftësisë për të shënuar, ai di të parashikojë shumë mirë të ardhmen. Në rrjetet sociale, po bëjnë xhiron e botës, dy fotot ku duket portreti i tij duke festuar, para se topi të shkonte në fundin e rrjetës.
Mesfushori holandez ka zbuluar vetë motivin: “E dija, sepse e kisha goditur mirë topin. E dija që do të përfundonte në rrjetë. Kur topi shkon në cepin e portës, portieri e ka të pamundur për ta pritur”. /Rozalb Lika-Koha Jone/


KOHA JONË SONDAZH

