Home Bota Stuhitë e shi...

Stuhitë e shiut godasin Greqinë, Turqinë dhe Bullgarinë. Vdesin 11 persona

14
0

Stuhitë dhe reshjet e dendura që goditën pjesë të Greqisë, Turqisë dhe Bullgarisë shkaktuan 11 viktima të mërkurën, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdonin kërkimet.

Përmbytjet në një kamp pushimi në Turqinë veriperëndimore, pranë kufirit me Bullgarinë vranë të paktën katër persona dhe prishën shtëpitë. Ekipet e emergjencave vazhdonin kërkimet për personat e zhdukur.

Dy persona të tjerë vdiqën në Stamboll, qytetin më të madh të Turqisë, ku furtunat e së martës dëmtuan qindra shtëpi dhe qendra pune në disa lagje.

Ndër viktimat ishte një shtetas 32 vjeçar nga Guinea që ishte bllokuar në apartamentin e tij në katin nëntokë të një godine banimi në lagjen e varfër Kucukcekmece, njoftoi kanali turk HaberTurk. Viktima tjetër ishte një grua 57-vjeçare që u rrëmbye nga ujërat në një lagje tjetër, njoftoi agjencia e lajmeve DHA.

Përmbytjet dëmtuan 1750 shtëpi dhe biznese në qytet, njoftoi zyra e guvernatorit të Stambollit. Një rrugë e tërë me dyqane në lagjen Ikitelli u dëmtua, ndërsa makinat e zhvendosura nga parkimet dhe balta shkatërruan mallrat në dyqanet e mobiljeve.

Përmbytjet përfshinë një zonë të madhe parkimi të kamionëve në rrethinat e qytetit, ku njerëzit u ngjitën në tarracat e godinave për të shpëtuar.

Në Greqi, reshjet rekord shkaktuan të paktën dy viktima në qytetin Volos dhe tre persona të tjerë u deklaruan të zhdukur. Departamenti i zjarrfikësve njoftoi se një person u vra të martën kur një mur u shemb mbi të, dhe të mërkurën u gjend edhe trupi i një gruaje.

Autoritetet ndaluan qarkullimin e mjeteve në Volos, në rajonin malor Pilion dhe ishullin Skiathos, ku banesa të shumta vazhdonin të mërkurën të ishin pa rrymë elektrike. Furtunat pritej të vazhdonin edhe gjatë ditës së enjte.

Në Bullgari, furtunat shkaktuan përmbytje në bregdetin e Detit të Zi. Trupi i një turisti u gjend të mërkurën në det, duke e rritur kështu numrin e viktimave në tre. Mjetet detare të policisë dhe dronët vazhdonin kërkimet për dy persona të zhdukur.

Pamjet televizive tregonin automjetet të rrëmbyera nga ujërat drejt detit në qytetin turistik Tsarevo, ku autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës.

Shumica e lumenjve në zonë dolën nga shtrati dhe disa ura u shkatërruan, duke krijuar probleme serioze për qarkullimin.

Ministrja e Turizmit, Zaritsa Dinkova, tha se rreth 4 mijë persona ishin dëmtuar nga katastrofa natyrore përgjatë bregut të Detit të Zi.

“Është problem transporti i turistëve, pasi është e rrezikshme lëvizja e mjeteve përgjatë rrugëve të prekura nga përmbytjet”, tha ajo.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit