Home POLITIKE Terrorizmi në...

Terrorizmi në botë, DASH: Rreziku që vjen nga Irani për Shqipërinë

241
0

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për terrorizmin në botë, ku thuhet se në gjatë vitit 2020, SHBA-të dhe partnerët e tyre shënuan përparime të mëdha e të rëndësishme kundër organizatave terroriste, por kërcënimi nga terrorizmi është bërë më i shpërndarë gjeografikisht në rajone anembanë botës.

Pjesa e raportit për Shqipërinë

Në pjesën për Shqipërinë thuhet se vendi vazhdoi mbështetjen e fuqishme të përpjekjeve ndërkombëtare kundër terrorizmit në vitin 2020 dhe kontribuoi në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in. Kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri përfshinë luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria dhe përpjekjet e simpatizantëve të ISIS-it për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë, si dhe aktiviteti i sponsorizuar nga Irani drejtuar kryesisht kundër grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq (MEK), pjesëtarët e të cilit janë të strehuar në Shqipëri.

Nuk ka pasur asnjë incident terrorist të raportuar në Shqipëri në vitin 2020, thuhet në raport. Shqipëria, thuhet në raport, përndjek aktet terroriste, duke përfshirë financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona në listat e të sanksionuarve nga Kombet e Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për të kryer akte terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe ngritjen, drejtimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste ose konflikte të armatosura jashtë vendit.

Raporti vëren bashkëpunimin e ngushtë të Njësisë së Policisë së shtetit Kundër Terrorizmit dhe përfshirjen e tij në operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm. Në raport përmendet se më 27 tetor, Shqipëria riatdhesoi një grua shqiptare dhe katër fëmijë nga Siria, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për riatdhesimin e më shumë qytetarëve nga kampet siriane. Më 14 dhjetor, një i dyshuar u akuzua nga prokuroria e Durrësit për “nxitje të terrorizmit kundër hebrenjve”. Në një rast të veçantë në qershor, Gjykata Themelore e Tiranës nxori dënoi me tre vite heqje lirie një të akuzuar për të njëjtat vepra penale. Më 23 korrik, një agjent i dyshuar i sponsorizuar nga autoritetet iraniane, u shpall “i padëshirueshëm” nga qeveria e Shqipërisë dhe më pas u dëbua nga vendi.

Ngjashëm me vitin e kaluar, raporti thekson se korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit mes agjencive qeveritare, bashkërendimi i pamjaftueshëm mes agjencive dhe një sistem gjyqësor i dobët, vazhduan të pengojnë përpjekjet për zbatimin e ligjit dhe rendit në të gjitha nivelet. Zbatimi i reformave në sektorin e drejtësisë vazhdon, duke filluar me vetingun e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion, paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar, thuhet në raport.

Shqipëria është zotuar të rrisë sigurinë e saj kufitare dhe kontrollet për të ndaluar udhëtimin e terroristëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me mbështetjen e ekspertëve dhe programeve të Shteteve të Bashkuara, thekson raporti. Në vitin 2020, Shqipëria filloi zbatimin e një regjimi më të rreptë të burgjeve për të dënuarit e rrezikshëm, përfshirë edhe për një të dënuar për rekrutim me qëllim terrorizmi, thuhet më tej në raport.

DASH-i vëren se Qendra Kombëtare e qeverisë shqiptare kundër terrorizmit të dhunshëm, mbetet aktive në mbështetet nga një gamë e gjerë programesh ndihme dhe angazhimi diplomatik nga Departamenti amerikan i Shtetit, duke përfshirë grupet e komunitetit lokal që identifikojnë dhe zbusin faktorët që mbështesin ekstremizmin e dhunshëm.

Ambasada në Tiranë mbikëqyrë zbatimin e një granti, të katërtin me radhë për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i cili përfshinë angazhimin e klerit islam me të rinjtë dhe prindërit e tyre për t’i larguar ata nga rrugët drejt radikalizmit e dhunës dhe informimin e të rinjve për parimet demokratike, të drejtat e njeriut, detyrat qytetare dhe tolerancën. Viti 2020 ishte viti i fundit i programit në këtë fushë të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në Shqipëri. Zyrtarët shqiptarë të drejtësisë, morën pjesë rregullisht në shoqata të ndryshme rajonale, konferenca dhe shkëmbime të tjera informacioni kundër terrorizmit, thuhet në raport. /VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit