Home Aktualitet Trump del sot...

Trump del sot para gjykatës, përballet me 37 akuza

61
0

Ish-Presidenti Donald Trump është në Florida për t’u paraqitur në një gjykatë federale në Miami, i akuzuar për keqpërdorim të dosjeve të sigurisë kombëtare.

Trump përballet me 37 akuza, mes të cilave, mbajtje e qëllimtë e dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme. Kjo është hera e parë në historinë e vendit që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale.

Dalja para gjykatës do të ndodhë të martën në orën 15:00 me orën lokale. Kjo do të jetë hera e dytë që nga muaji prill, që Trump përballet me akuza penale. Por ndryshe nga rasti i Nju Jorkut, ekspertët ligjorë e kanë cilësuar aktpadinë e prokurorëve federalë, një çështje më të fortë. Akuzat përfshijnë ndër të tjera shkelje të ligjit të spiunazhit, i cili e konsideron një vepër penale mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve që lidhen me mbrojtjen. Nëse shpallet fajtor Trump rrezikon një dënim maksimal prej 20 vitesh heqje lirie.

Ish-Presidenti thotë se është i pafajshëm dhe është zotuar se do të vazhdojë fushatën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2024.

Trump, i cili mbush 77 vjeç të mërkurën, la klubin e tij të golfit në Bedminster të shtetit të Nju Xhersit shoqëruar nga një autokolonë ndërsa mbështetës të tij ishin mbledhur për një tubim mesdite, në një tjetër klub golfi, në zotërim të tij, në Majemi.

“Shpresoj që i gjithë vendi po sheh atë që e majta radikale po i bën Amerikës”, shkruante Trump në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social”, përpara se avioni i tij, me emrin Trump, të nisej drej Floridës.

Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar popullaritetin e Trump në mesin e votuesve republikanë. Sondazhet e opinionit publik e tregojnë atë shumë përpara rivalëve të tij, që garojnë për të siguruar kandidimin zyrtar nga partia. Deri më tani, të gjithë kandidatët kanë qenë kryesisht në anën e tij mbi këtë çështje.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit