Home Bota Ushtria e Taj...

Ushtria e Tajvanit në gjendje alarmi

833
0

Një vizitë e mundshme e Nancy Pelosit në Tajvan ndez tensionet me Kinën, e cila ka kërcënuar përsëri Shtetet e Bashkuara me pasoja.

Në përgjigje të kërcënimeve verbale dhe manovrave ushtarake nga Republika Popullore e Kinës ushtria e Tajvanit ka rritur gatishmërinë e saj luftarake. Siç raportoi agjencia e lajmeve CNA urdhri për gjendjen e gatishmërisë vlen deri të enjten në mesditë. Sidoqoftë sistemi i alarmit, i cili ka dy faza, nuk është ende në nivelin “urgjent”, por ende në “gatishmërinë normale operacionale”, njoftoi Taipeu zyrtar.

Ministria e Jashtme në Pekin kërcënon sërish

Udhëheqja kineze i ka kërcënuar përsëri Shtetet e Bashkuara me pasoja nëse politikania e lartë Nancy Pelosi viziton Tajvanin. “Pala amerikane do të marrë përgjegjësinë dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying.

Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në Taipe do të ishte vizita më e lartë nga SHBA-ja prej dekadash. Pelosi është përfaqësuesja e tretë më e lartë e Shteteve të Bashkuara, pas presidentit amerikan Joe Biden dhe zëvendësit të tij, Kamala Harris.

Edhe Rusia akuzon SHBA-në

Në lidhje me vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, reagoi qartësisht edhe qeveria ruse. Kremlini akuzoi SHBA-në për destabilizim mbarëbotëror. “Uashingtoni po destabilizon botën. Dhe në dekadat e fundit nuk është zgjidhur asnjë konflikt i vetëm, por janë provokuar shumë syresh,” shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Moskës Maria Zakharova në shërbimin online Telegram.

Pelosi fluturoi këtë të martë nga Singapori në Malajzi. Sikurse njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Bernama avioni i saj u ul në bazën e Forcave Ajrore Subang pranë kryeqytetit Kuala Lumpur. 82-vjeçarja do të takohet me kryeministrin Ismail Sabri Yakoob.

Japonia dhe Koreja e Jugut janë stacionet e tjera të parashikuara për udhëtimin e Nancy Pelosit në Azi. Tajvani nuk përmendet në programin e saj zyrtar, megjithatë demokratja amerikane ka kohë që planifikon të vizitojë Tajvanin për të shprehur mbështetje kundër kërcënimeve nga Kina.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit