Gjergj Luca reagon ndaj protestuesve: “Çfarë borxhi u keni ju që doni të krijoni fashizmin kundër kapitalit?”
Me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe tone të ashpra, sipërmarrësi Gjergj Luca ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që kanë shoqëruar protestat, duke i kushtuar një videomesazh ndjekësve të tij në rrjetet sociale. Në qëndrimin e tij, ai shprehet kritik ndaj përshkallëzimit të tensioneve dhe përplasjes me forcat e rendit, duke e konsideruar këtë një devijim nga qëllimi fillestar i protestës.
Sipas Lucës, ajo që nisi si një reagim me karakter ambientalist dhe qytetar, rrezikon të humbasë legjitimitetin në momentin që shoqërohet me dhunë, konfrontim dhe retorikë përçarëse. Duke sjellë në vëmendje përvojat historike të shoqërive që kanë kaluar përmes ekstremizmave ideologjikë, ai apelon për reflektim dhe përgjegjësi, duke paralajmëruar se urrejtja ndaj sipërmarrjes dhe kapitalit nuk ndërton të ardhmen e një vendi.
“Si ka mundësi që ju ngriheni dhe flisni kundër sipërmarrjes, kundër mundësisë së punësimit dhe mirëqenies? Jo si komunistët, por si fashistë. Çfarë borxhi u keni ju njerëzve që doni të krijoni fashizmin kundër kapitalit?”, shprehet Luca në videomesazhin e tij, duke ngritur pyetje mbi motivet që, sipas tij, ushqejnë frymën e përplasjes.
Më tej, ai u bën thirrje atyre që, sipas tij, besojnë sinqerisht te zhvillimi i vendit, të mos bien pre e provokimeve dhe e logjikës së konfliktit.
“Lërini idealistët, ata që e duan vërtet Shqipërinë, ta çojnë këtë vend atje ku e meriton”, shprehet sipërmarrësi, duke e lidhur progresin e vendit me punën, investimin dhe iniciativën e lirë.
Në një tjetër pjesë të mesazhit të tij, Luca përdor një gjuhë edhe më të fortë ndaj atyre që, sipas tij, mbështesin dhunën dhe hakmarrjen si instrument politik.
“O hiçër, juve që koha u ka mbetur te dhuna, juve që hakmarrja u errëson sytë, nuk mund ta verboni dot një Shqipëri të tërë. Po e shihni, po tkurreni çdo ditë!”, deklaron ai.
Në përfundim të reagimit, sipërmarrësi thekson se, sipas bindjes së tij, zhvillimi i vendit nuk mund të ndërtohet mbi destruksionin, por mbi punën, sipërmarrjen dhe përgjegjësinë qytetare.
“Nuk përfaqësoni asgjë në këtë vend. As keni emër, as keni adresë, as keni marka, as keni fytyrë, as keni moral të dilni përballë njerëzve që punojnë, që vrapojnë dhe që ëndërrojnë ta bëjnë këtë vend më të mirë”, përfundon Luca në videomesazhin e tij.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

