Home Sporti Zgjedhja zv.p...

Zgjedhja zv.president i UEFA’s, puna e Silvinjos & “Euro 2024”: Presidenti Duka rrëfim në 360 gradë

25
0

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte për një vizitë në Kosovë javën e shkuar dhe gjatë qëndrimit në Prishtinë ka dhënë edhe një intervistë për televizionin “Klan Kosova”. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka folur për zgjedhjen si zëvendëspresident i UEFA-s dhe të mirave që mund të sjellë kjo, infrastrukturën e futbollit në vendin tonë dhe për ecurinë e Kombëtares kuqezi me në krye trajnerin Sylvio Mendes Campos Junior. Duka është ndalur të përzgjedhja e trajnerit brazilian dhe te puna e bërë deri më tani, ndërkohë që nuk i është shmangur as temës për zgjedhjen e Shqipërisë nga lojtarë me origjinë nga qytetet e Kosovës.

ZGJEDHJA ZËVENDËSPRESIDENT I UEFA-S
“Është vlerësim për futbollin shqiptar, është vlerësim për të gjithë njerëzit e komunitetit të Futbollit shqiptar, që kanë një nga anëtarët e saj në organet drejtuese të UEFA-s. Pa dyshim që edhe në planin personal është kënaqësi, pasi ndihesh i vlerësuar për punën, kontributin gjatë një periudhe të gjatë në futboll. Numri i lartë o votave? Ishin 45 nga 55. Janë shumë vota, një lloj surprize, por edhe jo shumë e madhe duke patur parasysh marrëdhëniet me federatat homologe në përgjithësi, korrektësinë e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë njerëzve të futbollit, kontributin e të gjithëve dhe marrëdhëniet kryesisht me rajonin tonë. Ka qenë e pritshme një mbështetje masive, mbase jo i pari, por një mbështetje masive. Ky është një detyrim akoma më shumë për besimin e dhënë, mbështetjen që më kanë dhënë, për t’ua shpërblyer me punë, për t’ua shpërblyer me rezultate dhe ndershmëri në të gjithë vendimmarrjen e organit drejtues”.

“A do e shohë UEFA Shqipërinë me sy tjetër? UEFA është një organizatë solide, demokratike, e barazpeshuar dhe në bazat e saj këtë ka, solidaritetin, bashkëpunimin me të gjitha federatat. Ky është objektivi dhe synimi, mirë menaxhimi sa më mirë i të gjitha aktiviteteve sportive dhe financiare të saj. Mbështetja, për mua, është mbështetja për të pasur në gjirin e saj nga të gjitha nivelet dhe madhësitë e federative. Kështu që nuk është qëllimi për të qenë i njëanshëm, por qëllimi është që të gjithë bashkë, vende të mëdha e të vogla, me më pak apo më shumë kontribute në futboll, të jenë të balancuara dhe bashkërisht të zhvillojmë futbollin në vendet respektive”.

RRITJA E INVESTIMEVE NË INFRASTRUKTURË –
“Strategjia, qëllimi, objektivat tonë janë të qartë për të përmirësuar maksimalisht infrastrukturën, për të pasur sa më shumë fëmijë, djem e vajza, në futboll në Shqipëri. Për të pasur sa më shumë duhet t’i përmirësojmë kushtet. Ne nuk jemi një vend me infrastrukturë perfekte, me infrastrukturë shumë të zhvilluar, por duke pasur parasysh historinë e Shqipërisë kemi trashëguar një infrastrukturë shumë të mangët, qoftë nga inventari, qoftë nga kualiteti. Sot kemi një kualitet më të mirë, por nuk kemi një inventar të mjaftueshëm, pra një numër të mjaftueshëm terrenesh sportive dhe fushash. Ky është objektivi ynë, që t’i shtojmë këto terrene nëpërmjet projekteve tona, ndihmës tonë, për të patur më shumë terrene sportive për fëmijët, t’u krijojmë kushte atyre që t’i bashkohen lojës tonë. Futbolli në Shqipëri është pa diskutim sporti më i ndjekur, sporti më i dashur, sporti më i mbështetur. Kjo na bën ne që në njëfarë mënyrë të jemi më me fat, sepse e kemi më të lehtë bashkëpunimin me njerëzit. Nëse krijojmë kushte më të mira, besoj se do të kemi të ardhme shumë të mirë”.

KUALIFIKIMI NË EURO 2024 SHUMË PRANË
“Është kënaqësi, shumë kënëqësi dhe le të themi ëshët shpërblim i punës që kanë bërë futbollistët kryesisht, stafi i ekipit Kombëtar, por edhe të gjithë shqiptarët ngado që janë, të cilët e kanë mbështetur këtë ekip Kombëtar. E thashë që futbolli është sporti më i dashur për çdo shqiptar, kudo që janë, në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Shqipëri apo kudo në të gjithë botën pasi jemi një komb që për arsye historike jemi më shumë jashtë kufijve të territorit të Shqipërisë sesa brenda. Është kënaqësi për të gjithë, por gjithsesi duke u kthyer me këmbë në tokë, duhet që të fitojmë të arrijmë në Europian. Objektivi është t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Përderisa kemi bërë shumë mirë deri tani, duhet që të dalim të parët në grup. I kemi të gjitha mundësitë për ta arritur vendin e parë dhe uroj t’ia arrijmë”.

PUNA E SILVINJOS DHE SI U ZGJODH TRAJNER I SHQIPËRISË
“Në momentet e para, që vendosëm që Silvinjo të drejtojë ekipin Kombëtar, ka qenë CV-ja e tij, ajo që ka bërë në jetë dhe sukseset e tij kryesisht si futbollist, por edhe ajo pak eksperiencë që ka pasur në ekipet kombëtare. Kjo pasi ekipet kombëtare kanë specifikat e veta, nuk janë fiks e njëjta gjë si në klub. Mund të jesh shumë i suksesshëm në klub, por jo në kombëtare dhe anasjelltas. Të përgatisësh një edicion apo një ndeshje të ekipit kombëtar është krejt ndryshe se si përgatit një ndeshje klubi, apo të gabosh në ekip kombëtar. Duhet të gabosh sa më pak, pasi ndeshjet janë të kufizuara brenda vitit, jo më shumë se 10. Jemi nisur nga CV-ja, CV-ja si futbollist, CV-ja në ekip kombëtar, te Brazili jo si trajner i parë por si asistent, dhe kemi vendosur. Në fund të fundit para vendimit nuk është se je i sigurt se çfarë do të arrijë, por realisht edhe ne jemi të surprizuar nga mënyra se si Silvinjo e drejton ekipin Kombëtar. Është një lloj revolucioni edhe për ne, sepse nëpërmjet këtij bashkpënimi të gjatë me trajnerë të huaj edhe ne mësojmë. Pa dyshim edhe ata mësojnë prej nesh. Është një shkëmbim eksperiencash dhe në këtë rast të shkëmbimit të eksperiencave dhe drejtimit të ekipit kombëtar nga Silvinjo dhe stafi i tij, Zabaleta dhe Doriva, kemi mësuar. Kemi mësuar të shkojmë përpara në mënyrën se si organizojmë ndeshjet, detajet që shohim për ta organizuar, mundohemi t’i bëjmë sa më mirë jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në atë organizativ. Kryesorja është, dihet që futbolli është një lojë kolektive dhe jo individuale, sidomos në vende si ne që nuk është se kemi Messin. Kur ke Messin, OK, janë raste të veçanta që mund të thuash se një individ ta zgjidhë ndeshjen. Pra, është lojë kolektive dhe duhet ta krijosh atmosferën, duhet ta krijosh frymën e skuadrës, duhet të krijosh besimin në skuadër. Këtë punë ai e ka bërë shumë mirë, pra nga pikëpamja organizative, tekniko-taktike dhe psikologjike për skuadrën. Kjo ka bërë që të arrijë këtë sukses dhe ne për këtë i jemi vërtetë falënderues”.

KOMENTET PËR KALIMIN E LOJTARËVE NGA KOSOVA TE SHQIPËRIA
“Më vjen shumë keq për këtë lloj diskutimi apo debati, që më shumë duket mediatik sesa faktik, pasi marrëdhëniet tona me Federatën e Futbollit të Kosovës, me drejtuesit e saj, me Presidentin Agim Ademi janë të shkëlqyera dhe më shumë sesa të shkëlqyera. Bashkëpunimi jonë është në të gjitha fushat. Duke pasur parasysh specifikat, nuk mundemi ne të refuzojmë futbollistë shqiptarë për të luajtur me Shqipërinë. Ky është paradoks. Përderisa i gjithë populli, për arsye të historisë që mbase jemi në dy apo më shumë shtete, jemi një komb dhe dëshirojnë të kontribuojnë, të luajnë për ekipin kombëtar. Ne nuk mund t’ua mbyllim derën, përkundrazi e kemi hapur dhe do vazhdojmë ta hapim. Kjo nuk i cënon. Në një lloj mënyre mund të konsiderohet që ky futbollist mund të kontribuonte për ekipin e Kosovës, u dëmtua ekipi i Kosovës. Por mendoj se dëshira e futbollistëve dhe ndjenja nacionaliste për Shqipërinë nuk kanë pse të cënohen nga ne. Nëse do ta kalojmë në anën tjetër, që t’i themi jo çdo futbollisti, çdo shqiptari me origjinë nga qytetet e Kosovës apo Maqedonisë së Veriut, besoj se do të jemi shumë më të kritikuar dhe më të penduar që nuk u japim shansin dhe i mbyllim derën një shqiptari. Kështu që të dyja anët kanë diskutime. Mendoj që diskutimet më pozitive janë në rastin konkret, ku gjithë shqiptarëve u jepet mundësia për të kontribuuar për Kombëtaren. Mos të harrojmë që ne këtë politikë ka shumë vite që e ndjekim, edhe kur nuk kishte apo kishte ekip përfaqësues Kosova, apo ka apo nuk ka Maqedonia apo vendet e tjera. Këto zhvillimet demokratike kështu janë, çdo njeri duhet të jetë i lirë të kontribuojë atje ku është. Të tjerat pastaj janë diskutime. Ne kemi lojtarë me origjinë nga Shqipëria që luajnë për Kombëtare të tjera, Italinë, Greqinë apo vende të tjera. Ka edhe shumë nga Kosova, që luajnë në më shumë se 10 kombëtare të Europës. Të gjithë do luajnë aty ku duan, por më e mira është të luajnë për Shqipërinë”.

KALIMI I GRUPEVE NË EUROPIAN
“Ne vërtetë kemi një ekip të mirë, kemi një nivel të kënaqshëm futbollistësh të cilët në ndryshim nga historia, në ndryshim nga ekipet e mëparshme, luajnë në ekipe të nivelit të lartë, nuk janë në pankina. Duke pasur parasysh nivelin e këtyre futbollistëve, duke pasur parasysh këtë kompleksitetin, që të arrish një sukes duhet të jesh në një ambient pozitiv, duhet të jesh në një ambient të bashkuar dhe fatmirësisht jemi në këtë fazë. Jemi në fazën ku vërtetë të gjithë njerëzit janë të kënaqur dhe të lumtur me ekipin dhe anasjelltas ekipi me të gjithë ambientin. Mbështetjen e tifozëve e kemi në të gjithë ambientin shqiptar, kudo që jetojnë. Besoj se do ta kemi, duke uruar dhe besuar se do shkojmë në Gjermani, edhe në Europian. Të gjtihë bashkë kam besim se mund të arrijmë gjithçka. Por në një ndeshje futbolli, pavarësisht se ne themi do presim shortin, nuk ka ekipe të dobëta, sidomos në Europian. Ekipet e Europianit janë të gjitha të forta. Unë mendoj se ekipi jonë mund të fitojë kundër çdo kundërshtari në Europë, sikurse edhe mund të humbë kundër çdo kundërshtari. Shpresoj që të bëjmë mirë. Kam besim se do të bëjmë më mirë se në 2016-ën. Pa dyshim edhe ne kemi krijuar një eksperiencë dhe ajo eksperiencë do na shërbëjë për të korrigjuar ato gjëra që mbase nuk i kemi bërë mirë në 2016-ën”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Sporti

Me shumë nga Sport

Lajmet e Fundit

Te Fundit