Home Aktualitet Zhvillohet mb...

Zhvillohet mbledhja e Asamblesë së Zgjeruar e Bashkisë Devoll, prezantojnë platformat 5 kandidatët për drejtues të PS

146
0

Partia Socialiste vijon takimet në të 61 bashkitë e vendit për procesin e ri zgjedhor të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj vendor. Takimet e para po zhvillohen në Qarkun Korçë dhe pas Bashkisë së Maliqit, mbledhja e dytë u zhvillua me Asamblenë e Zgjeruar në Bashkinë Devoll, ku 5 kandidatët e përzgjedhur për fazën finale: Daniel Meço, Genti Lakollari, Henrik Rusi, Terion Mersuli dhe Zerina Sinani paraqitën platformat e tyre të kandidimit.

Komisioni i Posaçëm i Kryesisë Socialiste i përbërë nga Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, Sekretarja për Gruan, Etilda Gjonaj, Sekretari për Digjitalizimin, Etjen Xhafaj, drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, deputetë të Qarkut Korçë, si dhe anëtarësia e partisë patën mundësi të njihen me platformat e 5 kandidatëve të përzgjedhur për fazën finale.

Takimi u moderua nga drejtuesi politik i Qarkut Korçë, Niko Peleshi, i cili shpjegoi se procesi është transparent dhe nuk synon thjesht zgjedhjen e drejtuesve të rinj lokalë, por edhe përfshirjen e të rinjve dhe kujdo që ka vizionin e duhur për të kontribuuar në drejtimin sa më të mirë të degëve lokale dhe arritjen e sukseseve elektorale të radhës për PS.

Kandidatët prezantuan shkurtimisht eksperiencat, përvojat dhe angazhimin e tyre në PS, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të bëra nga të mandatuarit e Kryesisë së PS lidhur me situatën aktuale të organizimit të strukturave të PS Devoll, rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve, grave dhe vajzave, organizimin dixhital, analizën e tyre për faktorët që kanë ndikuar në zgjedhjet e kaluara dhe si mund të përdoren për thellimin e rezultatit pozitiv në zgjedhjet e ardhshme, etj.

Kandidati i parë, Daniel Meço, me profesion inxhinier ushqimor, është anëtar i Këshillit Bashkiak të Devollit, Kryetar OS dhe prej 12 vitesh anëtar partie. Gjatë prezantimit të platformës së tij, ai theksoi se do të jetë i pranishëm në çdo organizatë, por dhe njësi administrative për të dëgjuar zërin e socialistëve, por dhe problematikat e çdo qytetari. Duke vlerësuar se koordinimi i mirë dhe fryma solidare ndikuan në fitoren e fundit elektorale, ai u shpreh i bindur që vijimi i kësaj fryme komunikimi do të ndihmojë në forcimin e strukturave dhe arritjen e rezultateve pozitive në betejat elektorale të radhës.

Kandidati i dytë, Genti Lakollari, me profesion inxhinier ushqimor, deri më tani ka qenë Kryetari i PS Devoll. Ai parashtroi se rezultatet pozitive dhe puna e mirë në skuadër e motivojnë të kandidojë për të drejtuar sërish PS Devoll. Pikat kyçe të platformës së tij ishin: afrimi i kapaciteteve njerëzore dhe njerëzve të larguar nga politika; analiza e mangësive të evidentuara në bazë për të shkuar në hapjen reale të partisë; forcimi i kapaciteteve të FRESSH dhe Forumit të Gruas, sidomos në zonat rurale; funksionaliteti i plotë i rrjetit të koordinatorëve digjitalë; krijimi i rrjetit të koordinatorëve për emigracionin.

Kandidati i tretë, Henrik Rusi, i arsimuar për administrim biznesi, aktualisht mban postin e Nënprefektit të Devollit dhe është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Platformën e kandididimit ai e kishte titulluar “Platformë për njëri-tjetrin” dhe mes të tjerash vlerësoi si të rëndësishme: analizimin e thellë të gjendjes së anëtarësisë dhe gjetjen e mënyrave për aktivizimin e anëtarëve joaktivë; forcimin e FRESSH dhe shndërrimin e tij në një strukturë aktive që nuk funksionon thjesht për qëllime politike, por edhe si një strukturë rinore me aktivitete të pasura kulturore, sportive dhe edukuese; zhvillimin e takimeve dhe aktiviteteve periodike me gratë e Forumit të Gruas për të fuqizuar më tepër rolin e tyre parti; krijimi i një rrjeti koordinatorësh dixhital aktiv dhe të motivuar për këtë rol mjaft të rëndësishëm në parti.

Kandidati i katërt, Terion Mersuli, me profesion ekonomist, aktualisht është Kryetar i Këshillit Socialist i Njësisë Administrative Qendër. Ndër të tjera ai theksoi se fokusi i punës duhet të jetë: forcimi i bashkërendimit organizativ, i cili do të jetë çelsi i suksesit në përballjet e ardhshme elektorale; hapja e partisë për të rinjtë; bërja sa më shpejt efektive e sistemit digjital, duke evidentuar dhe vendosur në të njerëz që punojnë me pasion dhe janë të motivuar për të kontribuar në këtë drejtim.

Kandidatja e pestë, Zerina Sinani, me profesion juriste, aktualisht mban postin e Nënkryetares së Bashkisë Devoll dhe është anëtare partie prej më shumë se 3 vitesh. Në thelb të platformës së kandidimit ajo ka vendosur meritokracinë për të vlerësuar secilin mbi bazën e kontributeve dhe transparencën në vendimmarrje dhe përfshirjen në të edhe të atyre që mendojnë ndyshe. Ndër të tjera ajo u shpreh se nevojitet të ruhet fryma e mirë e bashkëpunimit dhe organizimi i takimeve me vajza dhe gra në zonat rurale për të kuptuar nevojat e tyre dhe rritur angazhimin e tyre në jetën e partisë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit