Mevlan Adili rikthehet në Superiore vetëm pak muaj pas largimit nga Vllaznia. Qendërmbrojtësi shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshjen me klubin e Bylisit për të qëndruar të paktën deri në fund të sezonit.
Ka qenë vetë klubi mallakastriot që ka dhënë lajmin për akordin me 29-vjeçarin, i cili rikthehet në Superiore pas një eksperience 5-mujore në ligën e dytë në kampionatin rus.
Mevlan Adili është një njohës mjaft i mirë i Kategorisë Superiore, pasi ka luajtur me Vllazninë për dy sezone e gjysmë, duke u shndërruar në një nga liderët e kuqebluve dhe padyshim ndër më të dashurit e tifozerisë.