NBA/ Oklahoma arrin në gjysmëfinalet e playoff-it, Denver shmang eliminimin
Oklahoma City Thunder sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinalet e “play-off”-it në Konferencën e Perëndimit, pasi regjistruan fitoren e katërt radhazi ndaj Phoenix Suns. Kampionët në fuqi dominuan plotësisht serinë e raundit të parë, ndërsa suksesi vendimtar erdhi me rezultatin 131-122 në Phoenix.
Protagonist absolut ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili realizoi 31 pikë dhe vazhdon të mbetet një nga kandidatët kryesorë për çmimin MVP. Pas ndeshjes, ai theksoi forcën e grupit: një skuadër e re që luan pa egoizëm dhe me frymë kolektive.
Në gjysmëfinale, Thunder do të përballet me fituesin e çiftit mes Los Angeles Lakers dhe Houston Rockets, ku këta të fundit kryesojnë aktualisht serinë 3-1.
Ndërkohë, Denver Nuggets shmangin eliminimin duke mposhtur 125-113 Minnesota Timberwolves, duke mbajtur gjallë shpresat për përmbysje në seri. Lideri i skuadrës, Nikola Jokić, ishte vendimtar në këtë fitore, ndërsa ndeshja e gjashtë do të zhvillohet në Minneapolis.
Në zhvillimet e tjera, talenti i ri i Dallas Mavericks, Cooper Flagg, është shpallur “Rookie i Vitit”, duke konfirmuar pritshmëritë e mëdha për të ardhmen e tij në NBA.

KOHA JONË SONDAZH

