Asllani optimist para miqësoreve: Duam t’u dhurojmë fitore tifozëve në “Air Albania”
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, është shprehur optimist përpara dy ndeshjeve miqësore që kuqezinjtë do të zhvillojnë ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Në një prononcim për FSHF TV, Asllani theksoi se skuadra është e përgatitur për sfidat e radhës, ndërsa vëmendja e grupit është përqendruar edhe te puna me trajnerin e ri, Rolando Maran.
“Ndjehem shumë mirë. Jemi gati për këto dy ndeshje. Tani kemi një trajner të ri dhe do të shohim se çfarë kërkon ai nga ne në fushë. Italianët punojnë shumë në aspektin taktik dhe jam i bindur se do të përfitojmë nga kjo”, deklaroi mesfushori kuqezi.
Asllani nuk harroi të falënderojë edhe ish-trajnerin e Kombëtares, Sylvinho, për mbështetjen dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së bashkëpunimit.
“Dua të falënderoj Sylvinhon, sepse më ka ndihmuar shumë edhe në aspektin personal”, u shpreh ai.
Futbollisti shqiptar vlerësoi cilësinë e grupit aktual, duke theksuar se Kombëtarja ka potencial të madh dhe mund të arrijë rezultate pozitive në të ardhmen.
“Për mua, ky ekip ka shumë cilësi dhe kualitet. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Tani mendojmë vetëm për Kombëtaren dhe për ndeshjen e radhës”, tha Asllani.
Në fund, ai u ndal te mbështetja e tifozëve shqiptarë, duke shprehur dëshirën që skuadra t’i shpërblejë me fitore në stadiumin “Air Albania”.
“Ne duam t’u japim një fitore tifozëve tanë. Të luash në ‘Air Albania’ është një nga emocionet më të bukura dhe shpresojmë t’i bëjmë krenarë me paraqitjen tonë”, përfundoi Asllani.
KOHA JONË SONDAZH

