Protestat për Zvërnecin, Kryeministri Rama: Kjo është luftë hibride, po s’ka fare dyshim që do mbarojë
Kryeministri Rama i ka quajtur “luftë hibride” protestat kundër investimit në Zvërnec. Rama shtoi se kjo luftë do të mbarojë shumë shpejt dhe se çdokush do marrë atë që i takon.
Më tej, Rama tha se resortet luksoze janë domosdoshmëri për të rritur ekonominë dhe nuk do t’ia heqë Shqipërisë qafe me vetëdije këtë projekt.
“Kush nuk e ka kuptuar ende këtë, nuk ka për ta kuptuar as nga fjala e agjencive ligjzbatuese. Kjo dihet botërisht dhe për këtë arsye jemi të respektuar edhe brenda NATO-s. Kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorizmit kibernetik dhe kemi një pasqyrë të plotë se nga vijnë dhe ku shkojnë këto sulme. Ky është një territor i luftës hibride që po zhvillohet dhe që tashmë ka ardhur edhe në vendin tonë.
Te çështjet e mjedisit ka një sensibilitet më të madh dhe aty bashkohen edhe “vëllezërit” e Agimit të Artë, të orkestruar nga ustallarë si ata të Agimit të Artë, në emër të Shqipërisë së shqiptarëve. Mes tyre ka vajza dhe djem me qasje atdhedashëse ndaj natyrës, të cilët ndihen të lënduar.
Kjo është luftë hibride. Nuk ka asnjë dyshim se do të marrë fund dhe se secili do të marrë atë që i takon. Edhe Shqipëria, edhe shqiptarët do të marrin atë që u takon për të rritur ekonominë dhe të ardhurat”, tha Rama.
Kryeministri foli për hetimin e nisur nga SPAK lidhur me pronat ku do të zhvillohet investimi në Zvërnec.
Ai tha se bllokimi i parave që pronarët e tokave në Zërnec kanë marrë për shitjen e sipërfaqeve te vëllezërit nga Katari, është një lajm pozitiv, që mund t’i japë një përgjigje përfundimtare dhe pretendentëve të tjerë të pronësisë.
“Kam dalë për një arsye tjetër, që nuk ka të bëjë me mbledhjen e qeverisë, por me një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec.
Kjo do të thotë se është bërë sqarimi i plotë dhe përfundimtar i origjinës së fondeve të transferuara përmes bankës, si dhe është realizuar çlirimi përfundimtar i investitorëve, të cilët tashmë janë edhe pronarë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, unë e konsideroj shumë pozitive që SPAK-u ka vendosur t’i mbajë të ngrira fondet, pa i lejuar ato të kalojnë te shitësit, për të cilët ka një proces hetimor.
Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive për këdo që pretendon pronësi në atë territor, sepse tashmë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të trajtohet përmes një hetimi tërësisht të pavarur dhe profesional nga SPAK-u. Në të dyja rastet, rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i japë fund çdo spekulimi dhe manipulimi.
Në rast se shitësi ka një origjinë të ligjshme të pronës, do t’i marrë paratë. Në rast se nuk e ka, paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimi i tij mbi pronën është i bazuar”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?
Results
Vota totale: 3762

