Në nder të vëllait të ndjerë, Enea Mekolli veshi uniformën e policisë dhe ra në krye të detyrës
Lajmi për ndarjen nga jeta të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli i cili u vra në krye të detyrës, ka tronditur familjarët, kolegët dhe opinionin publik. Pas uniformës së policit fshihej historia e një të riu që kishte zgjedhur t’i shërbente me përkushtim rendit dhe sigurisë së qytetarëve, duke ndjekur një rrugë të lidhur ngushtë me historinë e familjes së tij.
Frymëzimi më i madh për Enea Mekollin ishte vëllai i tij, i cili kishte shërbyer më herët në radhët e Policisë së Shtetit. Edhe pse humbi jetën pas një sëmundjeje të rëndë, ai la pas dëshirën që Enea të vazhdonte me krenari misionin që kishte nisur vetë. Duke respektuar këtë amanet familjar, Enea veshi uniformën blu dhe ia kushtoi jetën shërbimit ndaj vendit. Kolegët e kujtojnë si një efektiv të përkushtuar, korrekt dhe të gatshëm për të përmbushur detyrën në çdo moment.
Rrugëtimi i tij u ndërpre në mënyrë tragjike gjatë ushtrimit të detyrës. Ndarja e parakohshme nga jeta e Enea Mekollit ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe kolegët, ndërsa kujtimi i tij do të mbetet i lidhur me përkushtimin dhe sakrificën në shërbim të qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

