FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Presidenti Begaj: Kërkimi shkencor, kohë vendimtare për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare mbi rëndësinë e Toponimisë në Formësimin e Identitetit Kulturor Shqiptar, të organizuar në Tiranë nga Instituti i Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave. Duke iu referuar temës së kësaj konference: “Kur toka flet me emra. Gjurmime antropologjike dhe gjuhësore”, Kreu i Shtetit gjatë fjalës përshëndetëse vlerësoi përpjekjen kërkimore-shkencore që merr një rendësi të veçantë në një kohë vendimtare për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian.

“Shqipëria shkon drejt Bashkimit Evropian jo duke lënë pas vetes identitetin e saj, por duke e marrë atë me vete si vlerë, si vlerë të shtuar”, deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar se, “Evropa nuk është një hapësirë që kërkon zbehjen e kulturave kombëtare. Përkundrazi, ajo është ndërtuar mbi bashkëjetesën e gjuhëve, traditave, kujtesës dhe përvojave të ndryshme historike. Në këtë shumësi, identiteti shqiptar bëhet një pasuri që i përket natyrshëm historisë kulturore të kontinentit”.

Presidenti i Republikës vlerësoi, gjithashtu, faktin që këto studime gjuhësore dhe antropologjike dëshmojnë se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë, kulturalisht dhe historikisht, pjesë e pandarë e Mesdheut dhe Evropës. “Kjo e bën edhe më të qartë se integrimi ynë evropian nuk është vetëm një projekt institucional i së tashmes, por edhe një ritakim zyrtar me një hapësirë ku, në kuptimin kulturor, kemi qenë gjithmonë të pranishëm”, u shpreh Presidenti Begaj. Dokumentimi i kësaj kujtese është edhe dëshmi se trashëgimia jonë ka qenë përherë pjesë e qytetërimit evropian.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kreu i Shtetit vlerësoi, gjithashtu, shtrirjen e studimeve të toponimisë dhe të antropologjisë përtej hartës së Shqipërisë, duke përfshirë trevat në rajon dhe diasporën, arbëreshët, si dhe komunitetet arvanitase. Një pjesë të rëndësishme të nismës Presidenti Begaj vlerësoi dhe përfshirjen e të rinjve dhe shkollave: “Në një kohë kur flasim me shqetësim për tkurrjen demografike, për uljen e numrit të nxënësve dhe për sfidat e arsimit, çdo projekt që e afron rininë me dijen, me kërkimin dhe me kulturën kombëtare meriton mbështetje, meriton respekt”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Begaj inkurajoi akademiket dhe kërkuesit shkencorë për vijimin e nismave të tilla për shndërrimin e tyre në një model bashkëpunimi mes institucioneve shkencore, shkollave, komuniteteve dhe diasporës. “Sepse kur toka flet me emra, ajo nuk flet vetëm për të shkuarën. Ajo na flet edhe për përgjegjësinë që kemi ndaj së ardhmes”, deklaroi Presidenti Bajram Begaj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?