Rritet presioni kibernetik ndaj Shqipërisë, mbi 56 sulme çdo minutë

Mbi 14.6 milionë tentativa për sulme kibernetike u regjistruan në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, që përkthehet në më shumë se 56 sulme çdo minutë ndaj telefonave, tabletëve dhe kompjuterëve të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve. Sipas ekspertit të IT-së, Besmir Semanaj, rritja e vazhdueshme e tentativave tregon se kërcënimet kibernetike janë tashmë pjesë e përditshmërisë. Ai thekson se objektiv nuk janë vetëm institucionet shtetërore, por edhe bizneset dhe përdoruesit individualë, të cilët shpesh nuk janë të vetëdijshëm se pajisjet e pambrojtura mund të shfrytëzohen nga sulmuesit si pikë hyrëse në sisteme.

Të dhënat tregojnë se 62% e sulmeve të evidentuara ishin të llojit Avalanche-Andromeda, ndërsa pjesa tjetër përfshinte malware si SystemBC, Adload, Android Hummer, Qakbot dhe Downadup. Semanaj shpjegon se këto programe keqdashëse kanë qëllime të ndryshme, duke filluar nga vjedhja e të dhënave personale dhe financiare, deri te bllokimi i sistemeve ose marrja nën kontroll në distancë e pajisjeve. Për këtë arsye, ai vlerëson se investimi në sigurinë kibernetike nuk duhet parë më si një zgjedhje, por si një domosdoshmëri.

Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, veçanërisht pas incidenteve që goditën sistemet shtetërore katër vite më parë dhe përpjekjeve të vazhdueshme të atribuara Iranit, kanë rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin për mbrojtjen digjitale. Megjithatë, sipas ekspertëve, bizneset ende hezitojnë të raportojnë të gjitha incidentet që përjetojnë. Sipas Semanajt, mungesa e raportimit mbetet një nga dobësitë kryesore, pasi shumë kompani zgjedhin t’i menaxhojnë problemet brenda strukturave të tyre. Kjo e bën më të vështirë krijimin e një panorame të plotë të rrezikut dhe koordinimin e masave parandaluese në nivel kombëtar.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?