Në ceremoninë mortore të kushëririt, hajduti i vjedh paratë këngëtarit të njohur
Një incident i pazakontë ka ndodhur në Fier, ku këngëtari i muzikës popullore Bledar Hoxhaj ka rënë pre e një vjedhjeje teksa ndodhej në ceremoninë mortore të një familjari.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 10:00. Sipas këngëtarit, një person ka hyrë në automjetin e tij, një Audi Q5 ngjyrë gri e errët, dhe ka marrë paratë që ndodheshin në portofol. Portofoli është lënë brenda makinës.
Hoxhaj ka bërë me dije se ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë. Pas vjedhjes, personi i dyshuar është larguar me një Opel ngjyrë gri të hapur.
Këngëtari ka publikuar pamjet e kamerave dhe u ka bërë apel qytetarëve për ndihmë, nëse dikush mund të identifikojë personin ose automjetin e përdorur prej tij. Pamjet, sipas Hoxhajt, do t’u dorëzohen autoriteteve përkatëse.
Në reagimin e tij, ai shprehet se vjedhja ka ndodhur në një moment veçanërisht të dhimbshëm, ndërsa familja po përcillte të ndjerin në banesën e fundit.
Hoxhaj ka kërkuar që pamjet të shpërndahen sa më shumë, me shpresën se dikush mund të japë informacion që do të ndihmojë në identifikimin e autorit.
KOHA JONË SONDAZH

