Investim rrugor në Xhyrë të Librazhdit, kryebashkiaku Disha: Po lehtësohet lidhja e çdo lagjeje të fshatit me qytetin
Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ka bërë të ditur vijimin e punimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në fshatin Xhyrë, pjesë e Njësisë Administrative Hotolisht.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Disha ka informuar se ka parë nga afër ecurinë e punimeve në segmentin rrugor të fshatit, i cili degëzohet në dy drejtime kryesore: rruga e Xhamisë dhe rruga që vijon në brendësi të Xhyrës drejt lagjes Frashër.
Projekti, i financuar nga fondet e Bashkisë Librazhd, parashikon sistemimin e rrugës, asfaltimin e segmenteve dhe ndërtimin e kanalizimeve, me synimin për të përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe infrastrukturën mbështetëse.
Sipas kryebashkiakut Disha, ky investim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të banorëve, duke lehtësuar lëvizjen dhe transportin, por edhe nxjerrjen e produkteve bujqësore drejt tregjeve.
Xhyra është një prej fshatrave më të rëndësishëm të Bashkisë Librazhd për nga shtrirja territoriale dhe numri i banorëve. Fshati ka pesë lagje mjaft të populluara, çka e bën edhe rrjetin e tij rrugor ndër më të gjatët në territorin e bashkisë.
Pavarësisht shtrirjes së madhe të fshatit, deri tani vetëm një pjesë relativisht e kufizuar e rrjetit rrugor është e asfaltuar. Për këtë arsye, investimet në segmente të reja rrugore konsiderohen të rëndësishme për përmirësimin gradual të aksesit të banorëve në shërbime, në qendrën administrative dhe në tregjet ku orientohen produktet e zonës.
Punimet në Xhyrë janë pjesë e ndërhyrjeve të Bashkisë Librazhd në infrastrukturën e njësive administrative, me fokus te përmirësimi i lidhjeve rrugore dhe kushteve të lëvizjes për komunitetet rurale.
Postimi i kryetarit të Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, e vendos theksin te rëndësia e investimit për banorët e Xhyrës dhe për forcimin e lidhjes së këtij komuniteti me qytetin e Librazhdit.
KOHA JONË SONDAZH

