Reali në alarm, dyshja Mbappe dhe Vinicius me statistika negative
Real Madridi ende nuk ka gjetur formulën ideale për të shfrytëzuar në maksimum dy yjet e sulmit, Kylian Mbappé dhe Vinícius Júnior. Pavarësisht ndryshimeve në stol dhe më shumë se dy sezoneve së bashku, dyshja vazhdon të ketë vështirësi për të krijuar një bashkëpunim të qëndrueshëm.
Problemi u bë sërish i dukshëm në derbin ndaj Atlético Madridit, ku të dy sulmuesit shpesh lëvizën në të njëjtat hapësira në krahun e majtë. Sipas “AS”, vetëm 6% e golave të Realit që prej bashkimit të dy lojtarëve kanë ardhur nga bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes tyre.
Të dy preferojnë të nisen nga e majta, të marrin topin në këmbë dhe të futen në qendër, ndërsa Mbappé nuk po luan vazhdimisht si një sulmues klasik që tërheq mbrojtësit kundërshtarë. Kjo ka sjellë mbivendosje dhe ka kufizuar hapësirat e Vinícius.
Në tetë ndeshjet e para zyrtare të këtij sezoni, ata kanë prodhuar vetëm një gol në bashkëpunim, me brazilianin që asistoi Mbappén ndaj Real Sociedadit.
Shifrat tregojnë gjithashtu vështirësi individuale për francezin, i cili ka humbur nëntë raste të mëdha në La Liga. Reali ende kërkon zgjidhjen për t’i bërë dy yjet të funksionojnë së bashku pa penguar njëri-tjetrin.

