Maran: Duhet të japim më shumë se 100%, Finlanda rival i vështirë
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Finlandës, duke analizuar kundërshtarin dhe mundësitë që ka skuadra kuqezi.
Maran e vlerësoi Finlandën si një ekip të organizuar dhe të vështirë për t’u përballuar, duke theksuar ngjashmëritë që sheh mes saj dhe Bjellorusisë.
“Janë dy skuadra me sisteme të ndryshme loje, por shumë të organizuara. Finlanda është një skuadër e vështirë dhe di ta bëjë kundërshtarin të luajë keq. Janë të ngjashme në mënyrën se si qëndrojnë në fushë, shumë të ngushta, duke i mohuar kundërshtarit shpejtësinë”, deklaroi trajneri italian.
I pyetur për mundësinë që Pilo dhe Mitaj të aktivizohen në të njëjtën zonë të fushës, Maran theksoi se çdo futbollist duhet t’i vërë cilësitë e tij në funksion të skuadrës.
“Lojtarët duhet të vihen në shërbim të skuadrës me cilësitë e tyre. Pres që ata që zbresin në fushë t’i vendosin cilësitë në shërbim të ekipit. Për të qenë një skuadër konkurruese, duhet të shtyjmë shumë dhe të japim më shumë se 100%”, u shpreh Maran.
Tekniku kuqezi vlerësoi gjithashtu përkushtimin e futbollistëve dhe theksoi se kur skuadra luan me intensitet maksimal, ka treguar më shumë cilësi nga sa pritej.
“E pres këtë nga të gjithë. Kam fatin të kem djem me këto karakteristika dhe me këtë përkushtim. Kur e kemi treguar këtë, kemi shfaqur më shumë cilësi nga sa mendonim se kishim”, shtoi ai.
Trajneri foli edhe për Kerjotën, duke shpjeguar arsyen e grumbullimit të tij me Kombëtaren.
“Kam ftuar disa lojtarë më shumë për të kompletuar grupin, pasi kishim shumë ndeshje dhe doja t’i njihja më mirë. Ai nuk e kishte mundësinë, ose nuk ishte momenti që ta aktivizoja, por ishte pjesë e këtij grupi për ta njohur më mirë. Të shohim nëse krijohet mundësia, por kjo ishte e parashikuar”, sqaroi Maran.

