Auron Tare: Qeveria në Japoni!

Nga Auron Tare

Më kapi syri sot një fotografi të delegacionit shqiptar në Japoni. Ulur përqark një tryeze të gjatë, dukeshin disa ministra, këshilltarë dhe specialistë, seriozë për rëndësinë e çështjeve shtetërore, të cilët kishin marrë udhën deri në Japoninë e largët.

Me siguri, ndonjë hall i madh duhej të kishte shtyrë gjysmën e qeverisë, mendova. Në foton e delegacionit tonë më zuri syri edhe profilin e Ministrit të Pushtetit Lokal. Duke vrarë mendjen, papritur u kujtova se, në fakt, Japonia është një prej vendeve me një program të rëndësishëm qeveritar për rilindjen e zonave rurale. Japonia, pas Luftës së Dytë Botërore, është përballur me një tkurrje të madhe të zonave rurale, duke pasur gati rreth 9 milionë shtëpi të braktisura nëpër malet e vendit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Me siguri, mendova, halli ynë i shpopullimit rural dhe përvoja japoneze do t’i kishte shtyrë ministrat tanë deri aq larg për të parë se si një shtet serioz përpiqet të rikthejë jetën në fshat, të ruajë peizazhin rural dhe të mbrojë kulturën e vet. Kurioz prita në lajme të dëgjoja ndonjë bisedë për këtë çështje. Ndonjë fjalë. Ndonjë kërkesë apo, fundja-fundit, ndonjë kuriozitet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Hiç.

Me kureshtje prita lajmet e mbrëmjes. Prita mos dëgjoja ndonjë ide. Ndonjë projekt. Një pyetje të mençur. Qoftë edhe një habi të sinqertë për mënyrën se si japonezët mundohen të shpëtojnë fshatrat e tyre.

Por asgjë.

Vite më parë, në Butrint pata fatin të bashkëpunoja ngushtë me një organizatë japoneze. Me ndihmën e tyre u ndërtua një shkollë për komunitetin e Vrinës dhe Shën Dëllisë në Butrint, u restaurua spitali i Libohovës, si dhe shkolla teknike e Gjirokastrës.

Nga ajo përvojë më mbeti një bindje se japonezët janë njerëz që nuk e trajtojnë shtetin si dekor, por si përgjegjësi.

Pikërisht për këtë arsye kam ndjekur me interes mënyrën se si qeveritë japoneze janë përpjekur të rilindin peizazhet e tyre rurale.

Duke parë lëvizjen masive drejt qyteteve, plakjen e popullsisë dhe rënien dramatike të lindjeve, Japonia e kuptoi se braktisja e fshatit nuk është vetëm humbje ekonomike, por edhe humbje kulture, kujtese dhe identiteti kombëtar.

Prandaj, prej dekadash, qeveritë japoneze, majtas apo djathtas, kanë ndjekur një strategji të përbashkët kombëtare në mbrojtje të vendit të tyre.

Në vitin 2009, Japonia nisi programin e rilindjes rurale “Chiiki Okoshi Kyōryokutai”, i cili inkurajonte familjet të riktheheshin në fshat, duke financuar restaurimin e shtëpive, lehtësira fiskale, mbulimin deri në 50% të kostove të restaurimit, si dhe pagesa për disa vite për familjet që riktheheshin dhe angazhoheshin në bujqësi, agroturizëm apo ekonomi lokale.

Shumë bashki japoneze sot ofrojnë grante për rikthimin në fshat, tokë bujqësore falas, mbështetje për rritjen e fëmijëve, financime për shtëpitë e braktisura dhe mbështetje për start-up-e rurale.

Madje, Japonia krijoi edhe atë që quhet “Banka e Shtëpive të Braktisura”, një databazë kombëtare ku regjistrohen të gjitha shtëpitë e lëna bosh në zonat rurale.

Nëpërmjet këtij programi, njerëzit mund të zgjedhin zonën ku duan të jetojnë dhe të shohin grantet dhe mundësitë e financimit.

Dhe rezultatet nisën të duken. Shumë ferma u restauruan.

Shumë fshatra rifituan jetë. U hapën bujtina e kafene.

Shkolla të braktisura u kthyen në qendra arti apo ambiente pune të përbashkëta; tokat djerrë u përdorën për bujqësi organike dhe agroturizëm.

Por japonezët kuptuan edhe diçka tjetër: fshati nuk shpëtohet vetëm me subvencione. Ai ka nevojë edhe për krenari kulturore.

Kështu lindën programet artistike si “Echigo-Tsumari Art Triennial”, i cili transformoi zona të harruara rurale në destinacione arti me famë botërore.

Artistë, ekspozita dhe instalacione moderne u vendosën nëpër fshatra të braktisura, shkolla bosh dhe peizazhe natyrore.

Po kështu, “Setouchi Triennale” ringjalli ishuj të tërë të braktisur përmes artit dhe kulturës.

Ndërsa programi “Satoyama” u përqendrua në ruajtjen e peizazheve tradicionale rurale: pyje, fusha orizi, përrenj e ujëvara, si dhe fshatra historikë.

Parlamenti japonez ka votuar ligje për mbrojtjen e këtyre peizazheve, duke i konsideruar ato pjesë të identitetit kombëtar. Kolegët japonezë që rrinin përkundruall në tavolinën e gjatë nuk kanë ngritur dorën për të prishur zona të mbrojtura dhe për t’i mbushur ato me beton. Në kontrast me shqiptarët që ishin ulur përballë, ata kanë krenari për kulturën e tyre, peizazhet historike dhe traditën japoneze.

Nëse delegacioni shqiptar do të kishte pyetur, do të kishte mësuar se programi “Satoyama” financon ruajtjen e natyrës, restaurimet tradicionale dhe fermat organike, duke përfshirë komunitetin lokal në çdo projekt.

Filozofia e japonezëve është e thjeshtë: fshati tradicional, peizazhet natyrore dhe kultura kombëtare nuk janë një barrë e vjetër që duhet harruar, por një pasuri kombëtare që duhet mbrojtur, por edhe përdorur për rilindje ekonomike.

Prandaj programi shtetëror “Shunran-no-Sato” është bërë shembull ndërkombëtar për mënyrën se si ruhet arkitektura tradicionale dhe jeta rurale përmes turizmit tematik.

Këto politika dhe shumë të tjera, sigurisht, e kanë kthyer Japoninë në një model që studiohet sot nga shumë vende të botës.

Ndaj, kur pashë delegacionin tonë të ulur në tavolinën e gjatë, mendova se ndoshta më në fund udha e gjatë deri në Japoni do të sillte filozofi, modele dhe politika serioze për të shpëtuar fshatin shqiptar dhe trashëgiminë kombëtare. Por, pasi pashë dhe dëgjova se për rilindjen e fshatit nuk kishte pasur ndonjë interes, e kuptova se, në fakt, halli ynë më i madh nuk është se ministrat marrin udhën deri në Japoni, por se kthehen po aq bosh sa kanë ikur.

Andaj, Japonia nuk na duhet si sfond për fotografi ekzotike, por si një shkollë idesh. Sepse vendi ka nevojë për projekte konkrete, modele serioze dhe guxim për të shpëtuar Shqipërinë rurale nga braktisja e madhe.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?