Dropull, ende shumë fshatra të izoluar
Fshatrat Llongo dhe Koshovicë në Bashkinë e Dropullit janë ende të izoluar pas përmbytjeve të fillim dhjetorit.
Ura që i lidhte ata me aksin kryesor u shkatërrua nga rrjedha dhe prurjet inerte të lumit. Rreth 200 banorë që jetojnë në të dy fshatrat malore buzë kufirit me Greqinë kanë pamundësi transporti për të sëmurët, ndërsa vështirësohen shumë për të siguruar ushqime.
Kjo është situata më e vështirë që moti i keq ka shkaktuar ndonjëherë, tregon një tjetër banor. Disa ura u shembën dhe disa segmente rurale u rrëmbyen nga rrjedhat e përrenjve.
“Situata është shumë e vështirë pasi fshati nuk mund të furnizohet. Tani që ra pak lumi futet një makinë ushtarake”, thotë banori Spiro Proko.

