Gjergj Luca për protestën e ekologjistëve: “Dashuria për atdheun fillon te kazani i plehrave”
Sipërmarrësi shqiptar Gjergj Luca ka reaguar lidhur me protestat e ditëve të fundit, të cilat nisën si një lëvizje me pretendime ambientaliste për mbrojtjen e zonave të ndjeshme natyrore dhe po marrin gjithnjë e më shumë ngjyrime politike.
Në një komunikim video të publikuar në rrjetet sociale, Luca ndalet te raporti që shoqëria shqiptare ka me mjedisin, duke argumentuar se dashuria për natyrën dhe për atdheun nuk duhet të shfaqet vetëm në momente debatesh të mëdha publike, por në përditshmërinë e secilit qytetar.
“Dashuria për atdheun fillon te kazani i plehrave. Sa më shumë plehra në kazan dhe sa më pak plehra në tokë e në det, aq më shumë e duam atdheun”, shprehet ai, duke e përdorur këtë metaforë si pikënisje për një reflektim më të gjerë mbi përgjegjësinë qytetare ndaj mjedisit.
Gjatë fjalës së tij, Luca rikthen në vëmendje episode dhe realitete që, sipas tij, janë lënë për vite me radhë në harresë nga ata që sot paraqiten si mbrojtës të natyrës. Ai flet për gjendjen e ekosistemeve bregdetare, për ndotjen e detit, për habitatet e shpendëve migratorë dhe për nevojën që zhvillimi ekonomik të mos shihet domosdoshmërisht si armik i mjedisit.
Sipas tij, investimet serioze dhe të mirëmenaxhuara mund të bashkëjetojnë me ruajtjen e natyrës, madje në raste të caktuara mund të kontribuojnë në rehabilitimin e zonave të degraduara dhe në përmirësimin e kushteve të habitateve natyrore.
Videoja nis me përvojat konkrete të peshkatarëve shqiptarë, të cilët, sipas Lucës, përballen çdo ditë me një realitet të hidhur: rrjetat dhe kalatat e peshkimit shpesh mbushen jo me peshk, por edhe me shishe plastike, mbetje urbane dhe çdo lloj ndotjeje që deti nxjerr në sipërfaqe.
“Ku kanë qenë ekologjistët e mëdhenj gjatë gjithë kësaj kohe?”, pyet ai me ton kritik. “Si është e mundur që deti ynë të vazhdojë të mbushet me mbetje plastike, ndërsa indinjata publike të shpërthejë vetëm kur flitet për projekte të mëdha investimi?”
Në vijim, Luca ndalet te disa habitate të rëndësishme natyrore, përfshirë zonat ku strehohet pelikani kaçurrel dhe specie të tjera të mbrojtura, duke argumentuar se shumë prej tyre kanë vuajtur prej vitesh nga mungesa e kujdesit, ndotja dhe neglizhenca institucionale.
Ai ngre pyetjen nëse shqetësimi i sotëm për mjedisin është i sinqertë apo selektiv. Sipas tij, nëse ekziston një ndjeshmëri reale për natyrën shqiptare, ajo duhet të ishte manifestuar edhe më herët, kur shumë prej këtyre perlave ekologjike përballeshin me degradim të vazhdueshëm dhe mungesë vëmendjeje.
Në thelb të argumentit të tij qëndron bindja se ambientalizmi nuk mund të kufizohet vetëm te kundërshtimi i projekteve të mëdha zhvillimore, por duhet të shprehet si një angazhim i përditshëm për pastrimin, mbrojtjen dhe rigjenerimin e mjedisit.
Luca lë të kuptohet se një pjesë e protestave aktuale po përdorin kauzën ekologjike si mbulesë për objektiva të tjera politike, ndërsa investimet strategjike po paraqiten automatikisht si kërcënim për natyrën. Ai argumenton se Shqipëria ka nevojë për një debat më të ekuilibruar, ku mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik të mos vendosen domosdoshmërisht përballë njëri-tjetrit si dy alternativa të papajtueshme.
Sipas tij, sfida e vërtetë nuk është të zgjedhësh mes natyrës dhe zhvillimit, por të ndërtosh modele investimi që respektojnë mjedisin, krijojnë vlerë ekonomike dhe e vendosin Shqipërinë në hartën e investimeve të mëdha ndërkombëtare, pa cenuar pasuritë natyrore që përbëjnë identitetin dhe trashëgiminë e saj.
Në këtë kuptim, mesazhi që Luca përpiqet të përcjellë është se dashuria për natyrën nuk matet vetëm me protestën, por edhe me kujdesin konkret për të, me përgjegjësinë qytetare dhe me gatishmërinë për të gjetur një ekuilibër mes ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe nevojës për zhvillim ekonomik.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

