Grushta arbitrit në ndeshje, arrestohet futbollisti i Domosdovës
Arrestohet në flagrancë një lojtar i ekipit të futbollit Domosdova. Në pranga ka rënë Kristjan Lleshi, 33 vjeç, banues në Përrenjas.
Ky i fundit akuzohet për dhunim të arbitrit. Ngjarja u regjistrua gjatë ndjeshjes së luajtur një ditë më parë mes Tepelenës dhe Domosdovës në stadiumin “Sabaudin Shehu”.
Futbollisti Lleshi i Domosdovës së Prrenjasit ka goditur me grusht gjyqtarin kryesor të ndeshjes, shtetasin A.M, pasi ky i fundit dha një penallti në favor të Tepelenës.
Episodi i dhunës solli dhe ndërprerjen e ndeshjes të vlefshme për kategorinë e dytë.
Do të jetë Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së që do të vendosë jo vetëm për fatin e këtij takimi, ku më e mundshmja është fitorja e Tepelenës në tavolinë 3:0, por edhe atë të lojtarëve të Domosdovës të cilët do të përballen me penalitete jo të lehta.
Materialet në ngarkim të Kristjan Lleshit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

