Identifikohen dy autorët e plagosjes së 39 vjeçarit në Korçë, sekuestrohet mjeti
Policia e Korçës identifikon dhe shpall në kërkim dy autorët e e dyshuar për plagosjen me armë zjarri të 39 vjeçarit,ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së martës 19 dhjetor 2017.
Uniformat blu filluan proçedimin penal dhe po punojnë për kapjen e shtetasve M.D, 39 vjeç, dhe S.D, 59 vjeç, të dy banues në Korçë.
Sipas policisë, të dy këta shtetas dyshohet se mbrëmjen e së martës, tek një lokal në aksin rrugor Korçë- Ersekë, për motive të dobëta kanë plagosur me armë zjarri në pjesën e këmbës shtetasin M.Z, 39 vjeç, banues në Korçë.
Ky i fundit pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin e Korçës është dërguar për ndihmë të speçializuar në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana e Policisë është sekuestruar mjeti të cilin kanë përdorur autorët e dyshuar të ngjarjes.
Ndërkohë po punohet për identifikimin e kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim si edhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 76,22, 278 e 25 të Kodit Penal.

