Ja nenet e shfuqizuara: Kushtetuesja “ngrin” KLGJ dhe KLP
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nga nenet thelbësore të Ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, çka sipas ekspertëve e bën të pazbatueshëm këtë ligj. Sipas vendimit të Kushtetueses, nenet që kanë të bëjnë me mbledhjet plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë në kundërshtim me Kushtetutën
Nga Leonard Bakillari
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një goditje të fortë Reformës në Drejtësi, duke shfuqizuar disa nene thelbësore për funksionimin e dy institucioneve të reja të drejtësisë: Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Të premten e javës së shkuar, Kushtetuesja publikoi një njoftim sipas të cilit ishte pranuar kërkesa e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kërkonin shfuqizimin e një prej neneve të ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë.
Kërkesa e 1/ 5-ës së deputetëve nuk është pranuar plotësisht, por nenet e shfuqizuara prekin në thelb dy organet e reja që praktikisht do të menaxhojnë dy hallka të rëndësishme të sistemit, siç janë prokuroria dhe gjykata.
Ekspertët sqarojnë se pas këtij vendimi, dy institucionet e reja e kanë të pamundur funksionimin edhe në rast se do të krijohen dhe vihen në zbatim.
Sipas njoftimit për mediat të publikuar nga Gjykata Kushtetuese thuhet se janë shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë neni 5; neni 61, neni 103, neni 159 dhe neni 169, pika 5 e Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Por cilat janë nenet e shfuqizuara dhe cili është roli i tyre në funksionimin e organeve të reja të drejtësisë?
Gjykata Kushtetuese nuk ka publikuar ende vendimin e arsyetuar sipas të cilit disa nga dispozitat e ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë janë antikushtetuese, por në njoftimin e saj thotë se janë shfuqizuar nenet që kanë të bëjnë më kompetencat e institucioneve të reja të drejtësisë.
Nenet kryesore që do të duhen të riformulohen nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi janë ato që kanë të bëjnë me mbledhjet e KLGJ dhe KLP.
Sipas kushtetueses, neni 61 dhe 159 që korrespondojnë me kompetencat e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe si të tilla duhet të shfuqizohen, duke lënë kështu të paplotë këtë ligj.
Sipas ekspertëve këto dy nene janë thelbësore për zbatimin e ligjit pasi prekin drejtpërdrejt funksionet që do kenë dy organet e reja të sistemit të drejtësisë.
Kështu Këshillit të Lartë Gjyqësor i hiqet e drejta për miratimin e akteve nënligjore me efekt detyrues mbi të gjithë gjyqtarët dhe administratën publike. Po ashtu i hiqet e drejta për të miratuar akte të rregullimit të procedurave të brendshme të këshillit.
Emërimi dhe promovimi i gjyqtarëve, marrja e masave disiplinore apo shkarkimi i gjyqtarëve të gjykatës së posaçme antikorrupsion janë disa kompetenca të tjera që shfuqizohen nga Gjykata Kushtetuese.
E njëjta gjë vlen edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku veç shfuqizimit të kompetencave, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar edhe praninë e një përfaqësuesi të Ministrisë së Drejtësisë në mbledhjet e këtij këshilli.
Dy nenet e tjera që u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese kanë të bëjnë me shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilat aplikohen për sa gjejnë zbatim edhe për anëtarin e KLGJ dhe KLP.
Nisur nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, disa ekspertë të kontaktuar nga MAPO thonë se ky ligj, apo edhe ligji për Statusin e Prokurorit dhe Gjyqtarit nuk mund të gjejnë zbatim për sa kohë kushtetuesja ka shfuqizuar disa dispozita të rëndësishme të tyre.
Në këto kushte, ligjet përkatëse duhet të kthehen sërish në Komision, të ripunohen dhe më pas të votohen në Parlament.
Por sipas Kushtetutës, Parlamenti aktual mund të miratojë ligje deri në muajin maj të këtij viti, çka do të thotë se ndryshimi i dispozitave të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese mund të bëhet nga parlamenti i ri.
Por ekspertët thonë se pas vendimeve të njëpasnjëshme të Kushtetueses, Parlamenti dhe komisionet përkatëse duhet të tërheqin ligjet dhe të bëjnë rregullimet e tyre në bashkëpunim me grupet e interesit dhe palët përkatëse.
Kjo pasi shpesh gjyqtarët dhe prokurorët kanë ngritur pretendimet se propozimet e tyre nuk janë marrë parasysh nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi, i cili ka hartuar dispozita antikushtetuese. Por teksa ligjet nuk mund të gjejnë zbatim, periudha tranzitore që po kalon sistemi i drejtësisë ka vështirësuar punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Jozyrtarisht ata thonë se sistemi është në kaos total, pasi ligjet e vjetra janë zëvendësuar me ligjet e reja, të cilat nuk janë vënë ende në zbatim.
Në pozita të vështira është edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili edhe pse ka një dispozitë kalimtare, nuk është në gjendje të organizohet për inspektimin apo marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të kapur me shkelje.
Në të njëjtën situatë është edhe prokuroria që nuk mund të kryejë inspektime për punën e prokurorëve e për pasojë nuk mund të marrë masa për shkelje të mundshme.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese bën të pazbatueshëm ligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë dhe vjen menjëherë pas një tjetër vendimi që shfuqizoi disa dispozita të ligjit për Statusin.
Ndërkohë Unioni i Prokurorëve ka paralajmëruar një tjetër ankim pranë Gjykatës Kushtetuese, këtë radhë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ligji bazë mbi të cilin ushtrojnë funksionet prokurorët, gjyqtarët dhe oficerët e policisë gjyqësore.
Këto ndryshime u miratuan pak ditë më parë në Parlament dhe Kodi i Ri i Procedurës Penale pritet të nisë zbatimin e tij në shtator të këtij viti.
Por Unioni i Prokurorëve nuk është dakord me ndryshimet dhe për këtë arsye pritet të paraqesë kundërshtimet e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Disa nga nenet e shfuqizuara
Neni 5
Shkeljet disiplinore të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor
Dispozitat e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, mbi shkeljet disiplinore të magjistratëve aplikohen për aq sa gjejnë zbatim edhe për anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Neni 61
Mbledhja plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor
- Këshilli i Lartë Gjyqësor organizohet dhe e ushtron veprimtarinë e tij në komisione ose në mbledhje plenare. Kompetencat e Këshillit që nuk përmenden në pikën 2, të këtij neni, ushtrohen nga komisionet. Kompetencat që përmenden në pikën 2, të këtij neni, ushtrohen nga mbledhja plenare, bazuar në propozimet e komisioneve përkatëse.
- Mbledhja plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ushtron kompetencat e mëposhtme:
- a) miraton akte nënligjore normative, në zbatim të këtij ligji ose të ligjeve të tjera, me efekt të përgjithshëm detyrues mbi të gjithë gjyqtarët, administratën gjyqësore, personat privatë dhe organet publike;
- b) miraton akte për rregullimin e procedurave të brendshme të Këshillit;
- c) emëron dhe ngre në detyrë gjyqtarët mbi propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës;
ç) vendos masën disiplinore të shkarkimit mbi gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me dy të tretat e votave mbi propozimin e Komisionit Disiplinor;
- d) shqyrton ankimet kundër vendimeve të komisioneve, me përjashtim të atyre vendimeve që rrëzojnë vendimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimeve ose pushimin e hetimeve, sipas pikës 14, të nenit 62, të këtij ligji;
- dh) miraton udhëzime të përgjithshme jodetyruese;
- e) miraton rregulla të detajuara për funksionimin e administratës së Këshillit;
ë) miraton përbërjen e komisioneve të përhershme, të komisioneve të përkohshme, si dhe rregulla të detajuara për veprimtarinë e tyre.
- Në mbledhjen plenare marrin pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit. Një anëtar i Këshillit nuk merr pjesë në vendimmarrjen e mbledhjes plenare për çështje të mëposhtme të rendit të ditës:
- a) në rast vendimi për çështje disiplinore, kur anëtari ka paraqitur tek Inspektori i Lartë i
Drejtësisë kërkesën, mbi bazën e së cilës ka nisur procedimi disiplinor;
- b) nëse si anëtar i komisionit ka marrë vendim për një çështje disiplinore, të parashikuar në pikën 13, të nenit 62, të këtij ligji.
Neni 169
Marrëdhënia e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me Ministrin e Drejtësisë
- Ministri i Drejtësisë, ose përfaqësues të tij, ka të drejtë të marrë pjesë, pa të drejtë vote, në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të komisioneve të përhershme të Këshillit. Në këto raste ai ka të drejtë:
- a) të njoftohet të paktën shtatë ditë përpara ditës së mbledhjes;
- b) të marrë çdo informacion që i vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit mbi këto çështje. Gazeta MAPO

