Ka ardhur koha për një Kushtetutë të re për Shqipërinë, Presidenti nga populli dhe 4 zona zgjedhore
Nga Nikoll Lesi-
Pas më shumë se një çerek shekulli nga miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, Shqipëria ndodhet përballë një pyetjeje që po bëhet gjithnjë e më e pranishme në debatin publik: A ka ardhur koha për një reformë të thellë kushtetuese dhe institucionale? Dhe po e them shkurt: PO!
Kushtetuta e një shteti nuk është një dokument i pandryshueshëm. Ajo duhet t’i përshtatet zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Shqipëria e vitit 2026 nuk është më Shqipëria e vitit 1998. Përvoja e këtyre viteve ka treguar se disa mekanizma kanë funksionuar, ndërsa të tjerë kanë prodhuar përqendrim pushteti, dobësi institucionale dhe mungesë ekuilibrash.
Një nga ndryshimet që meriton diskutim është rishikimi i sistemit zgjedhor. Katër zona të mëdha elektorale mund të krijonin një garë më të gjerë politike dhe do ta bënin sistemin më të thjeshtë për administrim. Mund te ndahej në katër zona që të kenë pak a shumë të njëjtin numër votuesish, ku pak a shumë mund të ishte Zona 1, ku futen qarku Shkodër, qarku Lezhë, qarku Kukës, qarku Dibër dhe qarku Durrës me 25 deputetë. Zona 2 me Qarkun Tiranë ( duke hequr Kavajën dhe Rrogozhinën) me 26 deputetë. Zona 3 me Qarkun Elbasan, Korçë, ku futen edhe Kavaja dhe Rrogozhina me 25 deputetë dhe zona 4 ku futen qarku Fier, qarku Vlorë dhe qarku Gjirokastër me 25 deputetë. Pra shkohet edhe te ulja e numrit të deputetëve në 101. Kjo menyrë krijon që kryetari i partisë nuk është “zoti”, sepse mund të dalë i pari në iks zonë, porse zonat e tjera nxjerrin në krye emra të tjerë, që krijojnë një demokraci brenda një partie, ku fjala vjen kryetari i partisë ka gati zëvendësuesin, pra “trashegimtarin” me votë. Kjo menyrë i kthen partitë me demokratike dhe jo nën unin e kryetarit.
Por kjo gjë e shoqeruar me listat plotësisht të hapura që do t’u jepnin qytetarëve të drejtën reale për të zgjedhur deputetin që dëshirojnë, duke reduktuar ndikimin absolut të kryetarëve të partive mbi përbërjen e Kuvendit.
Po aq i rëndësishëm është edhe numri i deputetëve. Shqipëria ka sot 140 deputetë, një shifër që shpesh konsiderohet e lartë në raport me popullsinë rezidente. Ulja e tyre në 101 nuk do të ishte vetëm një kursim financiar, por mund të shërbente edhe për ta bërë Parlamentin më funksional dhe më efikas, duke ruajtur njëkohësisht përfaqësimin proporcional.
Një tjetër debat i rëndësishëm lidhet me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Sot ai zgjidhet nga Kuvendi, çka shpesh e bën produkt të marrëveshjeve politike të momentit. Zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga populli do t’i jepte institucionit një legjitimitet më të fortë demokratik dhe do ta afronte më shumë me qytetarët. Një ndryshim i tillë, megjithatë, do të kërkonte edhe një rishikim të kujdesshëm të kompetencave të Presidentit, për të ruajtur ekuilibrat e sistemit parlamentar.
Po kështu, kufizimi i mandatit të Kryeministrit në maksimumi dy mandate është një ide që synon të parandalojë përqendrimin afatgjatë të pushtetit në duart e një individi. Rotacioni nuk është vetëm ndryshim partish, por edhe rinovim i lidershipit politik. Kufizime të tilla ekzistojnë në disa sisteme demokratike, ndërsa në të tjera është zgjedhësi ai që vendos pa kufizime kohore.
Një reformë serioze duhet të prekë edhe pushtetin vendor. Bashkitë dhe njësitë vendore kanë nevojë për më shumë kompetenca, më shumë autonomi financiare dhe më pak varësi nga qeveria qendrore. Demokracia nuk ndërtohet vetëm në Tiranë; ajo forcohet kur vendimmarrja i afrohet qytetarëve dhe kur pushteti lokal ka mjetet për të zgjidhur problemet e komuniteteve.
Në fushën e drejtësisë, mund të diskutohet edhe çështja e mandatit të prokurorëve të SPAK. Shqipëria ka investuar shumë në ngritjen dhe profesionalizimin e kësaj strukture. Për këtë arsye, një debat mbi mundësinë që prokurorët të rikandidojnë për një mandat të ri, përmes një procesi të pavarur dhe transparent, nuk duhet të konsiderohet tabu. Çdo zgjidhje, megjithatë, duhet të ruajë pavarësinë e institucionit dhe standardet kushtetuese.
Një tjetër temë që prek drejtpërdrejt cilësinë e demokracisë është pluralizmi mediatik. Frekuencat kombëtare televizive janë pasuri publike dhe përdorimi i tyre shoqërohet me një përgjegjësi të veçantë. Prandaj, mund të argumentohet se legjislacioni duhet të garantojë një nivel të lartë pluralizmi në pronësinë e televizioneve kombëtare private, duke shmangur përqendrimin e tepërt të kontrollit në pak duar. Çdo reformë në këtë drejtim duhet të jetë në përputhje me lirinë e medias, të drejtën e pronës dhe standardet evropiane.
Po kështu një ligj i rëndësishëm, që kërkon konsensus të madh pas një debati publik mbetet ligji për Portalet. Ka ardhur koha për një LIGJ të fortë në këtë fushë, por jo të jetë nën kontrollin e qeverisë, por parlamenti të krijojë një Bord që kontrollon dhe monitorin Portalet, e ku të zgjidhen nga parlamenti me shumicë me 84 vota anëtarët e këtij Bordi. Propozimet mund të jenë të ndryshme, por efikas, sipas mendimit tim do të ishte një Bord ku 2 pozita, 1 opozita, 1 nga shoqatat e gazetarëve, 1 nga Komiteti i Helnsinkit, 1 nga shoqatat e gjyqtarëve,1 nga shoqata e të drejtave të Autorit, pra 7 veta ku qeveria nuk ka asnjëherë shumicën.
Natyrisht, asnjë nga këto propozime nuk është i padiskutueshëm. Secili ka avantazhe dhe sfida që kërkojnë analizë të kujdesshme. Por pikërisht ky është thelbi i demokracisë: debati mbi mënyrën se si organizohet pushteti dhe si garantohen balancat institucionale.
Shqipëria ka nevojë për institucione më të forta sesa individët, për rregulla që kufizojnë përqendrimin e pushtetit dhe për një sistem që i jep qytetarit më shumë ndikim në vendimmarrje. Nëse këto objektiva mund të arrihen përmes një reforme kushtetuese të gjerë, atëherë debati nuk duhet të shtyhet më.
Një Kushtetutë nuk ndryshohet për interesat e qeverisë apo të opozitës së radhës. Ajo ndryshohet vetëm kur shoqëria bindet se rregullat ekzistuese nuk i përgjigjen më realitetit dhe se është koha për një kontratë të re politike mes shtetit dhe qytetarëve. Shqipëria mund të jetë pikërisht në një moment të tillë.
KOHA JONË SONDAZH

