“Kolegu kërkon ryshfet 6 mijë lekë”/ Si e pësoi mjeku i Sanatoriumit, pas sms për Ramën
Hetimi ndaj mjekut Albert Leka nisi në shkurt të vitit 2015, pas një denoncimi të bërë në postën elektronike të Kryeministrit, Edi Rama, nga ana e një ish-mjekeje të këtij spitali.
Sipas vendimit të shpallur pak ditë më parë, i pandehuri Leka, i gjykuar në gjendje të lirë, u fajësua për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 2 vjet burg, dënim që u ul në 1 vit e 4 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Leka nuk do të shkojë në qeli, pasi përfundimisht gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë në Shërbimin e Provës për një periudhë 3-vjeçare. Referuar vendimit, në shkurt të vitit 2015, në e-mailin e Kryeministrit është përcjellë një ankesë e një ish-mjekeje të spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku denoncohej një rast korrupsioni nga mjekë të këtij spitali. Pas këtij momenti, e-maili i është dërguar Seksionit Kundër Korrupsionit, në rrugë elektronike, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Nga deklaratat e ish-mjekes, ka rezultuar se: Shtetasit P. H. dhe Albert Leka, me profesion doktorë të imazherisë në spitalin “Shefqet Ndroqi” Tiranë abuzojnë me detyrën, pasi kryejnë dhe ofrojnë shërbimin e skanerit, grafisë dhe ekos, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm, të cilët në të vërtetë duhet të paguajnë për këtë shërbim në buxhetin e shtetit, me mandatpagesat përkatëse.
Në lidhje me këtë fakt, Gjykata e Tiranës, më 25 shkurt 2015, ka pranuar kërkesën e prokurorisë për lejimin e përgjimit të bisedave me mjete teknike, audio ose video, në ambientet e Imazherisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Tiranë, me afat 15 ditë.
“Nga procesverbalet e transkriptimit të përgjimit, pamjeve filmike të personit nën hetim, Albert Leka, është provuar se pacientët nxirrnin kartëmonedhat e prerjeve të ndryshme dhe ia linin në tavolinë të pandehurit, që më vonë ky i fundit i fuste në sirtar, pastaj në xhepin e tij.
Po sipas këtyre procesverbaleve të transkriptimit, ka rezultuar se në këto ambiente janë zhvilluar vizita nga doktori, i pandehuri Albert Leka, dhe në përfundim të tyre, qytetarët kanë paguar shuma të ndryshme parash nga 1000 deri në 6000 lekë, secili rast”, thuhej në vendimin e gjykatës. Më tej, gjykata arsyetonte se nisur nga këto të dhëna, rezulton se i pandehuri Albert Leka u ka kërkuar përfitime të paligjshme në funksion të detyrës së tij pacientëve të ndryshëm, të cilëve u ofron shërbimin.
/BW

