Lejuan 10 ton drogë drejt Italisë, kush është shefi i policisë që u arrestua mbrëmë në Durrës
Personi që shihni në foto me rreth të kuq është Julian Doraci, shefi i policisë në Portin e Durrësit, i arrestuar bashkë me 17 policë e doganierë të tjerë në Durrës, Tiranë dhe Qafë-Thanë me akuzën se kanë lejuar mbi 10 ton drogë të kalojnë drejt Italisë me kamionë, të paktën në dy raste.
Doraci bashkë me 17 të tjerë akuzohet se ka lejuar kalimin e kamionëve me drogë nga kufiri shqiptar që u zbuluan në Itali.
Rasti i parë ka ndodhur në datën 05.02.2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë-Thanës.
Ndërsa rasti i dytë ka ndodhur në datën 24.03.2017, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis në bord.
Prokuroria për Krime të Rënda pas informacioneve të marra ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.

