”Në 4 mandate ka kërkuar besën”, Boçi për Ramën: Nga kryepunëtor në lolo të premtimeve

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka kritikuar ”besën” që sipas tij, kryeministri Edi Rama e ka kërkuar në katër mandate qeverisëse, duke theksuar se qeveria ka vetëm premtime. ”Pas 13 vitesh pushtet, edhe lavdëruesit e qeverisë nuk guxojnë të thonë se pensionistët jetojnë mirë. Dhe pastaj vjen kulmi i ironisë. “Kryepunëtori po na kërkon besën”,-shkruan Boçi.

Shkrimi i plotë

KRYEPUNËTORI I LOLOIZMAVE APO LOLOJA I PUNËTORËVE?!

Swiss Digital Desktop Reklama

Ka një zhanër të ri në publicistikën shqiptare. Aferim! Nuk shkruhen më analiza, të vërteta, por himne, ditirambe, fluturime pindareske për qeverinë e Ramën. Ky zhanër i ri quhet LOLOIZËM. Nuk kërkohet më llogari, nuk ka më pasqyrë të realitetit, por thjesht panegjerikë që të habisin me kurajën e guximin e atyre që marrin në dorë penën dhe e bëjnë pis atë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dhe në një prej loloizmave të shumtë që qarkullojnë me algoritëm shfrenues në mediat tona, lexova që në setin e figurave mitologjike e përrallore shqiptare krahas Katallanit, Kuçedrës, Xhindit, Lugatit, Qerosit, na është shtuar figura e “Kryepunëtorit”, alias sipas loloizmës, Kryeministrit, të cilit i paskësh rënë bretku të shkretit duke punuar (grabitur në fakt) natë e ditë e na paskësh bërë çdo të mirë që ka njohur Shqipëria e prandaj të cilit duhet t’ia pranojmë besën.

O Zot çfarë zbulimi i pafjalë?! Ky “Krypunëtori” tamam si në mitet e famshme në loloizmin e famshëm na paska sjellë midis nesh lumturinë, gëzimin, diellin, hënën, detin lumin e çdo gjë që të prek dora e të sheh syri. Publicistikë për kokë të publicistikës. E mira e të mirave të kryepunëtorit na qenkërkëshka Reforma në Drejtësi. Aleluja!Po normal për të po, sepse dhe prokuroria më e thjesht e botës, Ramën tashmë do e kishte plasur brenda.

E nëse reforma është kurora e qeverisjes, atëherë korrupsioni qenka bërë medalja e saj. Ky po na shpie drejt BE sipas loloizmës. Por BE-ja nuk dashuron qeveri. Aq më shumë individë. BE-ja negocion me shtete. Procesi i integrimit është aspiratë e shqiptarëve prej më shumë se tri dekadash, jo pronë intelektuale e Edi Ramës. Për më tepër, kapitujt nuk mbyllen me selfie në Bruksel, por me shtet ligjor dhe institucione që funksionojnë.

e-Albania kryeheroinë na paska kursyer miliona euro. Shumë mirë! Tani duhet që “kryepunëtori” duhet t’ia shpjegojë këtë pensionistit që pret ilaçet, fermerit që endet për subvencione, ose biznesit që endet nga një institucion te tjetri për një firmë. Digjitalizimi zoti “kryepunëtor” është mjet, jo mirëqenie. Ky na paska ndërtuar rrugë. Zbulim! Po mor po janë ndërtuar rrugë. Edhe romakët ndërtonin rrugë. Edhe bota ndërton rrugë. Dallimi është se romakët bota nuk i faturonin e faturojnë me çmime që edhe Europa i sheh me habi. Rrugët janë paguar nga qytetarët, jo nga bujaria e “kryepunëtorit”.

Turistët na u shtokan prej kryeturistit. Po vetë shqiptarët? Shqiptarët largohen. Njëri vjen për një javë, tjetri ikën përgjithmonë. Kjo nuk është fitore. Është paradoksi më i madh i këtyre viteve.
Kryepunëtori po na bëka fuqi energjetike, por ndërkohë familjet dhe bizneset vazhdojnë të përballen me kosto të larta dhe pasiguri. Statistikat janë të dobishme, por nuk paguajnë faturat.
Shënohet si arritje e “kryepunëtorit” paga minimale.

Po fuqia blerëse? Po inflacioni? Po fakti që një rritje nominale mund të zhbëhet nga çmimet? Numrat janë të bukur në letër. Në supermarket janë më pak bindës. Pensionet janë qershia mbi. Madje edhe autori i loloizmit pranon se janë rritur “nga pak”. Pas 13 vitesh pushtet, edhe lavdëruesit e qeverisë nuk guxojnë të thonë se pensionistët jetojnë mirë. Dhe pastaj vjen kulmi i ironisë. “Kryepunëtori po na kërkon besën.”

Besën?
Në vitin 2013 kërkoi besën për Rilindjen.
Në 2017 kërkoi besën për të vazhduar.
Në 2021 kërkoi besën për të mbaruar punët.
Në 2025 kërkon përsëri besën… për të filluar ato që premtoi në 2013.
Nëse pas katër mandatesh ende kërkon besë për të realizuar premtimet e mandatit të parë, nuk je më kryepunëtor.

Tanimë je Loloja i punëtorëve. Sepse punëtorët punojnë. Ata ngrihen herët, paguajnë taksa, mbajnë familjet, luftojnë me çmimet dhe përpiqen të jetojnë me dinjitet. Loloja, përkundrazi, u shfaqet çdo katër vjet me të njëjtën histori, i ndërron vetëm paketimin dhe pret që publiku ta duartrokasë edhe një herë.

Prandaj pyetja nuk është nëse duhet t’i japim sërish besën. Pyetja është se sa herë mund të shitet i njëjti premtim si produkt i ri? Sepse besa nuk është kredi pa afat. Është kontrata morale mes qytetarit dhe qeverisësit. Dhe kur ajo thyhet për 13 vjet me radhë, nuk kërkon më besë. Kërkon harresë. Dhe harresa është lënda e parë me të cilën mbijetojnë pushtetet e konsumuara. Rroftë loloizmi!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?