Një jetë në shërbim të Gjuhës Shqipe dhe arsimit universitar, kujtimi që mbetet pas ikjes së Prof. As. Dr. Aida Kuranit
Nga Albert Vataj
Një jetë në shërbim të Gjuhës Shqipe dhe arsimit universitar, kujtimi që mbetet pas ikjes së Prof. As. Dr. Aida Kuranit. Ishte një ikje e parakohëshme, që lë pas dhimbje dhe trishtim.
Lajmin e hidhur e ka përcjellë me dhimbje i vëllai i saj, kolegu dhe miku ynë, Edison Kurani, ish-kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”, përmes një mesazhi të shkurtër, por të rënduar nga dhimbja e pazëvendësueshme e humbjes:
“E shtrenjta ime motër Aida, na la.”
Ndonjëherë, përballë vdekjes, nuk nevojiten shumë fjalë. Një fjali e tillë mjafton të përmbledhë boshllëkun që hapet në një familje, tronditjen e një vëllai, dhimbjen e miqve dhe pamundësinë për ta pranuar se një zë i njohur nuk do të dëgjohet më.
Edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit e ka përcjellë me dhimbje lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. As. Dr. Aida Kuranit, duke e cilësuar atë një “pjesë të çmuar të familjes akademike” dhe duke nderuar kontributin e saj në jetën universitare.
“Ky mëngjes i së dielës nis i trishtë për Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës. Me dhimbje të thellë, i japim lamtumirën Prof. As. Dr. Aida Kuranit”, thuhet në mesazhin e universitetit.
Por një pedagog nuk largohet kurrë vetëm si individ. Ai mbetet në njerëzit që ka formuar.
Dhe Aida Kurani do të mbetet pikërisht aty, në kujtesën e studentëve të saj, në fjalët që u ka mësuar, në dashurinë për Gjuhën Shqipe që ka përcjellë dhe në gjurmët që ka lënë në jetën akademike.
Me origjinë nga Tirana, ajo ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës arsimit, gjuhës dhe formimit të brezave të rinj. Ishte ndër emrat që kontribuuan në zhvillimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, duke qenë pjesë e një brezi akademikësh që nuk e panë universitetin thjesht si vend pune, por si një hapësirë ku dija duhej të kthehej në kulturë, ndërgjegje dhe qytetari.
Sepse të jesh pedagog i Gjuhës Shqipe do të thotë të kesh një përgjegjësi që shkon përtej auditorit.
Të mësosh gjuhën është të mësosh kujtesën e një kombi. Të kultivosh fjalën është të kultivosh mënyrën se si një brez mendon, komunikon dhe e kupton botën.
Në këtë kuptim, puna e Aida Kuranit nuk matet vetëm me orët e mësimit, me leksionet, me tekstet akademike apo me vitet e shërbimit universitar. Ajo matet me njerëzit që kanë kaluar në auditorët e saj dhe kanë marrë me vete diçka prej saj.
Humbja e saj ka prekur thellë familjen, kolegët, studentët dhe miqtë, por është njëkohësisht një humbje për botën akademike shqiptare.
Ajo iku nga kjo botë, por nuk largohet nga kujtesa e atyre që e njohën dhe e dëgjuan. Një pedagog mund të mos jetë më në auditor, por zëri i tij vazhdon të jetojë në mendjen e studentit; një mësues mund të mos jetë më përballë nxënësit, por ajo që ka mbjellë në të mund të jetojë për dekada.
Kjo është fitorja më e bukur mbi vdekjen, të vazhdosh të jetosh në jetët që ke ndihmuar të formohen.
Sot, përballë kësaj humbjeje, fjalët janë të pamjaftueshme. Për Edison Kuranin dhe familjen e saj, dhimbja ka dimensionin e pakthyeshëm të humbjes së njeriut të shtrenjtë. Për kolegët, është boshllëku që lë një prani e dashur në mjedisin akademik. Për studentët, është kujtimi i një pedagogeje që i shoqëroi në një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre.
U prehtë në paqen e amshuar Prof. As. Dr. Aida Kurani.
Ngushëllime të sinqerta miku dhe kolegu ynë, Edison Kurani.
KOHA JONË SONDAZH

