Policia rrit shpërblimin: 10 mln lekë për vrasësit e Artan Cukut
Policia e Shtetit ka rritur shpërblimin për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ekzekutimit komisarit të policisë, Artan Cuku.
Policia bën me dije se ofron 10 mln lekë të reja shpërblim për cilindo që jep informacione të sakta lidhur me vrasjen mafioze të komisarit të policisë, më 8 prill në hyrje të pallatit të tij në ‘Rrugën e kosovarëve’.
Që nga dita e vrasjes së Cukut policia ka marrë telefonata të shumta nga qytetarët, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e vlefshme për hetimin. Policia do të ruajë anonimatin e informatorit.
Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve që të çojnë në rrugën e kosovarëve ku banonte komisari. Në pamjet e publikuara nga policia, personi duket i veshur me tuta sportive, dhe mban në kokë një kapele të bardhë që i mbulon fytyrën.
Në numrin e vënë në dispozicon nga policia, këto ditë kanë mbërritur dhjetra telefonata për të cilat janë kryer verifikimet përkatëse të cilat kanë rezultuar pa sukses për të mbledhur informacione konkrete që mund të çojnë në identifikimin e autorëve dhe motivet e ngjarjes.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda po e heton në dy pista vrasjen e ish- drejtorit të policisë së Vlorës; atë të hakmarrjes dhe vrasje për shkak të detyrës.

