
Studentë dhe pedagogë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar ndryshime dhe përgjegjësi nga qeveria. Gjatë protestës, një prej studentëve u bëri thirrje të rinjve që të bashkohen dhe t’i japin më shumë forcë kauzës së tyre, duke marrë si shembull mobilizimin e studentëve në Serbi. Studenti akuzoi kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje dhe kërkoi dorëheqjen e tij, duke theksuar se, sipas tij, pas kaq vitesh në pushtet, qytetarët e kanë parë tashmë mënyrën se si ai qeveris.
“Unë dua që studentët të bëhen bashkë dhe t’i japin tjetër energji protestës. Unë jam student si gjithë të tjerët. Nëse ne unifikohemi, mendoj se do të bëhemi shumë”, u shpreh ai.
Studenti deklaroi se kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi për situatën në vend, ndërsa e akuzoi se po përpiqet të dobësojë reagimin e protestuesve. “Kryeministri ka vandalizuar gjithë shtetin shqiptar dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Rama po gjen tentativa për të demoralizuar studentët. Kryeministri të ikë sa ka së paku dy gishta dinjitet”, deklaroi studenti për News24.
I riu theksoi se kërkesa për largimin e kryeministrit mbetet e panegociueshme dhe përjashtoi mundësinë e tërheqjes nga kjo kërkesë. “Ne e përjashtojmë kategorikisht mundësinë që të ndalojmë së kërkuari dorëheqjen. Nuk kemi çfarë të flasim me kryeministrin Rama, sepse ka 14 vite që e kemi parë çfarë di të bëjë”.
