Shkodër, ekzekutohet me 3 plumba 32-vjeçari, ishte në arrest shtëpie për kanabis
Një 32 vjeçar u ekzekutua me 3 plumba në kokë, rreth orës 11.00 të së dieles, në afërsi të varrezave të Stom Golemit, në Shkoder.
Mësohet se viktima Angjelin Shkambi ka thyer vendimin e Gjykatës pasi ka qenë në arrest shtëpie për kultivim të lëndëve narkotike. 32-vjeçari dhe një grup prej 13 personash u arrestuan në prill të 2017 për kultivimin e rreth 3000 lëndëve narkotike kanabis.
Ai u la në arrest me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, ndërsa Apeli rrëzoi këtë vendim dhe vendosi arrest shtëpie.
Nga ana e policisë tashmë ka nisur hetimi dhe një nga pistat kryesore është konflikti për shkak të lëndëve narkotike.
Viktima është gjetur në automjetin e tij benz dhe mendohet se është qëlluar nga një distancë e afërt, pasi grupi hetimor ka gjetur dy gëzoja pistolete pranë trupit të viktimes, ndërsa një i tretë pranë derës së pasagjerit. Kjo ka shtuar dyshimet se viktima dhe autori që e ka qëlluar po lëviznin në të njëjtin automjet.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes dhe dëshmitë e marra prej personave të cilët kanë njoftuar sallen operative, mesohet se tre të shtënat janë dëgjuar brenda mjetit dhe më pas një person është parë duke u larguar me vrap por pa mundur të identifikohet për shkak se është futur menjëherë në një rrugicë aty pranë.
Mungesa e kamerave të subjekteve përreth e bën të vështirë identifikimin e tij.
Angjelin Shkambi banonte në fshatin Grudë e re, rreth 1 km larg vendit ku u ekzekutua, ndërsa mesohet se është larguar nga shtëpia pak minuta para se të ndodhte ngjarja, por i vetem.
Kjo shton edhe më shumë misterin e personit të dytë që dyshohet të ketë qenë në mjetin e tij.


