Sot 40 vjet nga katastrofa e Çernobilit, kujtesa e një tragjedie që ndryshoi botën
Ukraina kujton sot 40-vjetorin e aksidentit të Çernobilit, katastrofa më e rëndë bërthamore civile në histori, në një kohë kur centrali mbetet i kërcënuar nga bombardimet ruse duke shtuar rrezikun e ri për çlirime radioaktive.
Shpërthimi
Më 26 prill 1986, në orën 01:23, bërthama e reaktorit nr. 4 të centralit sovjetik të Çernobilit, në veri të Ukrainës, doli jashtë kontrollit gjatë një testi sigurie, si pasojë e gabimeve në operim.
Një shpërthim shkatërroi ndërtesën dhe një re tymi radioaktiv u ngrit në ajër.
Karburanti bërthamor vazhdoi të digjej për më shumë se 10 ditë.
Për të shuar zjarrin dhe për të kufizuar ndotjen radioaktive, u hodhën me helikopterë mijëra tonë rërë, argjilë dhe plumb.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), shkaku kryesor ishte një kombinim i mangësive serioze në projektimin e reaktorit dhe shkeljeve të procedurave të sigurisë.
Re radioaktive
Në ditët pas aksidentit, retë radioaktive ndotën rëndë Ukrainën, Bjellorusinë dhe Rusinë, përpara se të përhapej në të gjithë Evropën.
Alarmi i parë publik u dha më 28 prill nga Suedia, e cila konstatoi rritje të radioaktivitetit në territorin e saj.
Agjencia Ndërombëtare për Energinë Atomike (IAEA) mori njoftimin zyrtar më 30 prill, ndërsa lideri sovjetik Mihail Gorbaçov e përmendi publikisht vetëm më 14 maj.
Bilanci i viktimave mbetet i diskutueshëm. Një raport i OKB-së në vitin 2005 vlerëson rreth 4 000 vdekje të konfirmuara ose të pritshme, ndërsa “Greenpeace” në vitin 2006 e çoi këtë shifër në 100 000.
Kjo katastrofë ndryshoi thellësisht perceptimin publik për energjinë bërthamore, duke nxitur rritjen e lëvizjeve antinukleare në Evropë.
Pushtimi rus
Forcat ruse morën kontrollin e centralit në ditën e parë të pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, pa përleshje direkte.
Ushtarët rusë hapën llogore dhe ngritën kampe në zona si “pylli i kuq”, i quajtur kështu për shkak të ngjyrës së pemëve të prekura nga rrezatimi.
Kjo situatë ngriti frikën se një incident ushtarak mund të shkaktonte një katastrofë të re bërthamore.
Rusia u tërhoq pas rreth një muaji, pas dështimit për të marrë Kievin përballë rezistencës ukrainase.
Centrali i dëmtuar
Reaktori i aksidentuar është i mbuluar nga një strukturë e brendshme prej betoni dhe çeliku (sarkofagu), e ndërtuar menjëherë pas katastrofës, si dhe nga një strukturë moderne e jashtme mbrojtëse.
Kjo mbulesë e re u instalua në vitet 2016-2017, por u dëmtua nga një dron rus në shkurt 2025.
Sipas “Greenpeace”, në një raport të prillit 2026, struktura nuk është rikthyer plotësisht në gjendje funksionale, duke rritur rrezikun e rrjedhjeve radioaktive, sidomos në rast shembjeje të strukturës së vjetër të brendshme.
Zona e përjashtimit
Zona përreth centralit u evakuua në një rreze prej 30 kilometrash, duke u kthyer në një zonë të ndaluar për banim.
Mbi 2 200 kilometra katrore në veri të Ukrainës dhe 2 600 kilometra katrore në jug të Bjellorusisë konsiderohen ende të pabanueshme.
Sipas IAEA-së, këto zona nuk do të jenë të sigurta për jetesë edhe për rreth 24 000 vitet e ardhshme.
Qyteti i Pripjatit, dikur me 48 000 banorë, është sot një qytet fantazmë me ndërtesa të rrënuara dhe objekte të braktisura.
Edhe qyteti i Çernobilit u evakuua.
Para vitit 2022, zona mund të vizitohej me guida, por tani është e mbyllur për turistët.
Megjithatë, zona është kthyer në një rezervat natyror, ku janë rikthyer edhe specie si kuajt e egër.
Në 40 vite, Çernobili mbetet një simbol i fuqishëm i rrezikut bërthamor, por edhe një kujtesë e ndikimit afatgjatë që mund të ketë një katastrofë teknologjike mbi njerëzimin dhe mjedisin. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

